Misioni i OSBE-së në Shkup promovoi studimin bazë për çështjet gjinore dhe diversitetin në gjyqësor
Për të ndihmuar në adresimin e çështjeve të pabarazisë gjinore në sistemin e drejtësisë, Misioni i OSBE-së në Shkup kohët e fundit publikoi një studim bazë mbi Gjininë dhe Diversitetin në Gjyqësor.
“Vetëm një gjyqësor transparent dhe gjithëpërfshirës mund të gëzojë besimin dhe mbështetjen e qytetarëve, gjë që do t'i mundësojë të kryejë plotësisht funksionin për mbrojtjen e drejtësisë dhe të të drejtave të njeriut. Sistemi gjyqësor duhet të pasqyrojë komunitetin të cilit i shërben, përfshirë gratë, pakicat dhe personat me aftësi të kufizuara,” tha zëvendës-shefi i Misionit, Jeffrey Goldstein në aktivitetin e sotëm për promovimin e studimit.
“Pjesëmarrja dhe përfaqësimi i barabartë i grave në gjyqësor rrit cilësinë e punës gjyqësore, arsyetimin e vendimeve gjyqësore, mbrojtjen e të drejtave njerëzore të grave, si dhe ofron rezultate më të mira të sektorit të drejtësisë për të gjithë.”
Kryetarja e Këshillit Gjyqësor të Maqedonisë së Veriut, Pavlina Crvenkovska, duke folur në këtë ngjarje, tha: “Këshilli Gjyqësor synon të promovojë barazinë gjinore gjatë punësimeve të reja në gjyqësor, veçanërisht duke u fokusuar në bashkësitë etnike. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurojmë realizimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët, të cilët janë pjesë e proceseve gjyqësore, në mënyrë që të elimonohen praktikat diskriminuese.”
Misioni ka qenë prej kohësh i përfshirë në fushën e barazisë gjinore, mosdiskriminimit dhe reformës në drejtësi. Poashtu, kontribuoi në ngritjen e infrastrukturës legjislative dhe institucionale të Maqedonisë së Veriut në këtë fushë dhe ndihmoi qeverinë në hartimin e Ligjit për mundësi të barabarta të grave dhe burrave.