OSBE dhe Delegacioni i BE-së në Maqedoninë e Veriut fillojnë projektin për monitorimin e proceseve gjyqësore të rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar
SHKUP, 28 korrik 2021 - Misioni i OSBE-së në Shkup filloi një projekt të financuar nga BE për mbështetjen e administrimit më efektiv të drejtësisë duke monitoruar proceset gjyqësore të rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Maqedoninë e Veriut. Ky projekt tre-vjeçar është pjesë e një iniciative rajonale që po zbatohet nga misionet e OSBE-së në Tiranë, Podgoricë, Shkup, Sarajevë dhe Prishtinë.
Monitoruesit e gjykimeve nga ky projekt do të japin rekomandime që do të ndihmojnë gjykatat, prokurorinë dhe organet e zbatimit të ligjit në rritjen e kapaciteteve të tyre për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar që kërcënojnë stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë në rajon. Qëllimi i projektit nuk është të monitorojë raste individuale, por të identifikojë boshllëqet sistemike që duhet adresuar.
"Projekti do të zhvillojë rekomandime për identifikimin e çështjeve sistemike gjatë përpunimit të rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit," deklaroi Clemens Koja, Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup. "Monitorimi i gjykimeve filloi në mënyrë efektive javën e kaluar dhe do të vazhdojë deri në dhjetor 2023. Gjatë gjithë kësaj kohe, Misioni ynë do të monitorojë përafërsisht 50 raste të krimit të organizuar dhe të korrupsionit të nivelit të lartë dhe të mesëm," shtoi ai.
Shefi i Delegacionit të BE -së, ambasadori David Geer tha: “Sistemi i drejtësisë penale ka një rol kritik në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky projekt synon të mbështesë përpjekjet e tilla duke krijuar një sistem të monitorimit të gjykimeve, i krijuar për identifikimin e dobësive sistemike në menaxhimin e çështjeve brenda sistemit të drejtësisë penale. Duke bërë këtë jo vetëm që do të përforcojë efikasitetin e gjykatave, por gjithashtu do të dërgojë një sinjal të fortë se nuk pandëshkueshmëri për ata që janë përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar."
Ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq theksoi se projekti do të jetë një sfidë për sistemin gjyqësor maqedonas, por edhe provë. “Reformat për të cilat kemi punuar aq shumë dhe të gjitha ndryshimet e bëra deri më tani nuk janë vetëm në letër, por funksionojnë vërtet në praktikë-një hap i rëndësishëm ky në luftën kundër korrupsionit, i cili kërkon mbështetje dhe pjesëmarrje të fortë të të gjitha palëve të interesuara."