Fushata e OSBE-së për 16 Ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore 2019: ‘Thyej heshtjen’
SHKUP, 25 nëntor 2019 – Si çdo vjet, duke kontribuar për 16 Ditët e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) do të nisë një fushatë të re të titulluar ‘Thyej heshtjen’. Fushata synon të rrisë vetëdijen për çështjen e dhunës ndaj grave, duke u përqendruar kryesisht në të drejtat e grave.
Tema ‘Thyej heshtjen’ nënvizon një nga pengesat kryesore për të luftuar dhunën kundër grave: shumica e grave e konsiderojnë dhunën në familje si një çështje private dhe shumë pak gra që kanë përjetuar dhunë flasin për të. Edhe më pak prej tyre raportojnë dhunën tek autoritetet.
Fushata gjithashtu nënvizon dy ide të rëndësishme për luftën kundër dhunës ndaj grave: viktimat nuk duhet të fajësohen asnjëherë dhe autoritetet e zbatimit të ligjit janë përgjegjës për mbrojtjen e tyre në përputhje me ligjin.
Me rastin e fillimit të 16 Ditëve të aktivizimit më 25 nëntor, do të fillojmë një fushatë në mediat sociale që mund të ndiqet në llogaritë Twitter të Misionit të OSBE-së në Shkup @OSCE_Skopje dhe Facebook @ OSCE.Skopje, si dhe në llogarinë në Instagram të OSBE-së https : //www.instagram.com/osceorg.
Në muajin dhjetor, ne do të shpërndajmë 300 posterë në të gjitha stacionet e policisë në të gjithë vendin për të rritur ndërgjegjësimin për dhunën ndaj grave dhe rolin e policisë në luftimin e saj.
Fushata bazohet në gjetjet kryesore të Sondazhit të kryer nga OSBE në vitin 2018 lidhur me mirëqenien dhe sigurinë e Grave, për të cilën u intervistuan më shumë se 15,000 gra. Sondazhi u zhvillua në shatë Shtete pjesëmarrëse të OSBE-së, përfshi: Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Hulumtimi është kryer edhe në Kosovë. Në sondazh u intervistuan mbi 1.900 gra nga Maqedonia e Veriut.
Sipas hulumtimit të OSBE-së, dhuna ndaj grave mbetet e përhapur në të gjithë botën, përfshi në Maqedoninë e Veriut, duke prekur gratë e të gjitha moshave, pavarësisht nga të ardhurat ose prejardhja e tyre.
Sipas sondazhit, pothuajse gjysma e grave (45%) në vend kanë përjetuar dhunë psikologjike, fizike ose seksuale nga një partner intim. Siç tregon sondazhi, tre nga pesë (60%) gra mendojnë se dhuna ndaj grave është e zakonshme dhe pothuajse tre nga dhjetë prej tyre mendojnë se është shumë e zakonshme në Maqedoninë e Veriut.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Clemens Koja, beson se heshtja dhe stigmatizimi kanë lejuar që rastet e dhunës ndaj grave dhe vajzave të mbeten të pa denoncuara dhe të pa adresuara.
“Ka ardhur koha ta ndalojmë këtë. Dhuna ndaj grave dhe vajzave është e papranueshme, diskriminuese dhe duhet të dënohet, si dhe të luftohet dhe parandalohet me çdo kusht. Kështu që, unë u bëj thirrje të gjithë burrave dhe djemve që të angazhohen plotësisht dhe të marrin përgjegjësinë për arritjen e barazisë gjinore. Të gjithë duhet të angazhohemi që të kemi zero tolerancë për dhunën me bazë gjinore,” tha Koja.
Sipas sondazhit të kryer nga OSBE, shumë pak gra denoncojnë dhunën në polici, ose kërkojnë ndihmë nga një organizatë mbështetëse e viktimave, duke shfaqur si arsye turpin, varësinë financiare, mosbesimin ndaj institucioneve dhe frikën nga ndëshkimi, si dhe besimet tradicionale se dhuna në familje është çështje private. Vetëm 2% prej grave në të vërtetë raportuan në polici incidentin e tyre më të rëndë.
Për OSBE-në, dhuna ndaj grave nuk është çështje private. Fushata jonë i inkurajon gratë të raportojnë çdo rast dhune duke kontaktuar 0800-100-600, si dhe të kërkojnë ndihmë në Qendrën SOS 011 / 2645-328 (me orar gjatë ditëve të punës nga ora 10 e mëngjesit deri në ora 8 të mbrëmjes).