Misioni i OSBE-së në Shkup dhe Ministria e Brendshme nisin projektin për të zvogëluar rrezikun e përhapjes së armëve dhe municionit
SHKUP, 30 nëntor 2017 - Misioni i OSBE-së në Shkup dhe Ministria e Punëve të Brendshme filluan sot në Shkup një projekt të ri që synon zvogëlimin e rrezikut për përhapjen e armëve dhe municionit, si dhe rritjen e sigurisë së rezervave ekzistuese të armëve të vogla dhe të lehta.
“Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së njohin rëndësinë e luftës kundër trafikut të paligjshëm të armëve të vogla dhe të lehta,” tha Shefja e Misionit të OSBE-së në Shkup, Nina Suomalainen. “Misioni do të vazhdojë përkrahjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme në drejtim të zvogëlimit të trafikut të paligjshëm të armëve të vogla dhe të lehta, si dhe për të luftuar krimin e organizuar dhe kërcënimet transnacionale që përbëjnë një rrezik sigurie për vendin dhe rajonin më gjerë.”
Misioni dhe Ministria e Punëve të Brendshme nënshkruan Memorandum për Mirëkuptim për zbatimin e këtij projekti.
Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski tha: “Nënshkrimi i këtij Memorandumi të Mirëkuptimit është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta dhe shprehje e një mirëkuptimi të unifikuar të rëndësisë së zbatimit të plotë dhe në kohë të përgjegjësive të ndërmarra nga shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së në fushën e armëve të vogla dhe të lehta dhe lidhur me rezervat e municioneve konvencionale që gjenden në territorin e tyre kombëtar.”
Projekti mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian dhe Zyra e Jashtme Federale Gjermane.
“Rezultati më i rëndësishëm që ne presim nga projekti është zvogëlimi i kërcënimeve trans-nacionale dhe lufta me sukses kundër veprimtarisë kriminale të organizuar duke parandaluar hyrjen ilegale në depot e armëve, dhe kështu duke parandaluar përhapjen e armëve”, tha ambasadori i Gjermanisë, Thomas Gerberich.
Tibor Varadi nga Delegacioni i BE-së Shkup tha se prania e gjerë e armëve të zjarrit në Evropën Juglindore dhe mungesa e kapaciteteve të mjaftueshme për të siguruar plotësisht armët e vogla dhe armët të lehta dhe municionet janë një shqetësim i veçantë për BE-në dhe shtetet anëtare të saj.
“Në vitet e fundit, kërcënimi vendor nga armët e zjarrit të trafikuara brenda BE-së është rritur dhe ka fituar vend të rëndësishëm në agjendën e politikave. Shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së pranojnë se ne duhet të punojmë me partnerët tanë, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor për të trajtuar bashkërisht flukset e paligjshme dhe përhapjen e armëve të zjarrit,” tha ai.