Sfidat për përforcimin e kapaciteteve të redaksive të komuniteteve të vogla të transmetuesit publik adresohen gjatë tryezës së rrumbullakët të organizuar nga OSBE në Shkup
SHKUP, 27 nëntor 2017 - Sfidat për përforcimin e kapaciteteve të redaksive të komuniteteve të vogla të transmetuesit publik dhe hapat e ardhshëm ishin në qendër të diskutimit të tryezës së rrumbullakët e organizuar nga OSBE-ja që u mbajt sot në Shkup.
Gjatë kësaj ngjarje, ku morën pjesë zyrtarë publikë dhe përfaqësues të medias, eksperti i medias së Mbretërisë së Bashkuar Jonathan Stoneman paraqiti një analizë bazë të porositur nga Misioni mbi situatën në redaksitë e vogla të komuniteteve si dhe rekomandimet për të ardhmen.
“E drejta e komuniteteve më të vogla për mediat në gjuhën e tyre është pjesë e së drejtës së tyre themelore për lirinë e shprehjes dhe Misioni i OSBE-së dëshiron të ndihmojë në përmirësimin e qasjes së tyre në to”, tha zëvendës Shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, Jeffrey Goldstein.
“Krijimi i një kanali të ri në transmetuesin publik, i cili do të transmetojë program në gjuhët e komuniteteve më të vogla jo-shumicë përbën një sfidë. Megjithatë, kjo do të ndihmojë në ofrimin e informacionit më të mirë dhe objektiv për të gjithë qytetarët në gjuhën e tyre,” tha Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski, duke shtuar se shoqatat dhe organizatat e medias duhet të jenë forca udhëheqëse për reformat në media.
"Nevojitet një shkëmbim dhe komunikim ndër-kulturor midis redaksive të transmetuesit publik, përfshi ato të komuniteteve më të vogla jo-shumicë” tha Ministri pa resor, përgjegjës për komunikimet, llogaridhënien dhe transparencën, Robert Popovski. Ai tha se promovimi i pasurive kulturore dhe gjuhësore të të gjitha komuniteteve është qenësore për një shoqëri gjithëpërfshirëse. “Qeveria ka vullnetin të fillojë zgjidhjen e problemeve kryesore në fushën e medias, përfshi këtu edhe brenda transmetuesit publik.”
“Vizioni për redaksitë e transmetuesit publik në gjuhët e komuniteteve është të shfrytëzojë plotësisht teknikat e reja të transmetimit, raportimit dhe tregimit,” tha Stoneman. “Përdorimi më i mirë i mediave sociale për të transmetuar përmbajtje sipas kërkesës dhe angazhimi i publikut është qenësore. Kjo mund të arrihet me investime minimale financiare, të paktën në fazën e parë.”