Ushtruesja e Detyrës së Shefes së Misionit të OSBE-së Cornelia Taylor viziton rajonin e Mitrovicës për të takuar shoqërinë civile dhe mediat
Ushtruesja e detyrës së Shefes së Misionit të OSBE-së në Kosovë, Cornelia Taylor, vizitoi sot rajonin e Mitrovicës për të takuar organizatat lokale që mbështesin personat me aftësi të kufizuara dhe të mbijetuarat e dhunës në familje, si dhe gra redaktore e gazetare.
Vizita filloi në “Podrži Me”, një qendër ditore ndërkomunitare për personat me aftësi të kufizuara, ku Taylor u takua me përfaqësueset e qendrës, dhe me Anastasija Djorgjević nga iniciativa rinore me emrin Liderët e Rinj për Kosovën. Diskutimet u fokusuan në sfidat e punës me komunitete të ndryshme dhe persona me aftësi të kufizuara.
Derisa ishte në këtë qendër, Taylor vëzhgoi përgatitjet për një aktivitet të mbështetur nga OSBE me aktivistë të rinj, studentë të artit nga Universiteti në gjuhën serbe në Mitrovicën Veriore, staf të “Podrži Me”, vullnetarë e përfitues. Qëllimi i aktivitetit ishte krijimi i një hapësire më të ngrohtë përmes lyerjes dhe dekorimit të hyrjes në qendër.
Taylor më pas u takua me profesionistë të mediave në gjuhën serbe, duke përfshirë Tatjana Lazarević, kryeredaktore e KoSSev, Ana Marija Ivković, kryeredaktore e “Alternativa” si dhe Mirjana Milutinović drejtore ekzekutive dhe Sandra Dobrić gazetare nga Kontakt Plus Radio. Ato diskutuan tema të ndryshme që përfshinin sigurinë e gazetarëve, financimin, sfidat me të cilat përballen gazetaret dhe rolin e mediave në luftimin e dezinformimit.
Në Mitrovicën e Jugut, Taylor vizitoi Down Syndrome Kosova ku diskutoi mbi rëndësinë e vazhdueshme të përpjekjeve për mbështetje dhe avokim për të drejta të plota dhe përfshirje të personave me aftësi të kufizuara. Ajo gjithashtu mori pjesë në një diskutim me organizatat që promovojnë të drejtat e këtyre personave.
Vizita përfundoi me takimin në Qendrën për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijës “Raba Voca”, ku Taylor dhe drejtorja Fidane Hyseni diskutuan rreth punës jetike të strehimores dhe bashkëpunimin e saj me Misionin e OSBE-së.
“Nga nxitja e përfshirjes për personat me aftësi të kufizuara dhe mbështetja për të mbijetuarat e dhunës në familje, deri te adresimi i sfidave të veçanta me të cilat përballen gratë në gazetari, jam këtu për të theksuar rëndësinë e fuqizimit të komuniteteve, promovimit të diversitetit dhe forcimit të bashkëpunimit për të kapërcyer sfidat e përbashkëta,” tha Taylor.
“Kjo vizitë vetëm sa ka përforcuar besimin tim të fortë se përkushtimi dhe puna e palodhur e njerëzve dhe organizatave me të cilat pata kënaqësinë të takohesha sot do të nxisin ndryshime domethënëse dhe pozitive,” përfundoi Taylor.