Kur arsimi dhe ndryshimi bëhen bashkë: Rrëfimi i Alisanit
21-vjeçari Alisan Skenderi ndërthur me pasion studimet e tij akademike me aktivizëm, poezi dhe praktika profesionale, njëkohësisht duke e ruajtur lidhjen e tij të thellë me trashëgiminë rome.
I lindur në Llapnasellë, Alisani është student në vitin e dytë në Institutin Teknologjik të Rochesterit (RIT) në Kosovë, ku studion në fushën e paqes dhe zgjidhjes së konflikteve, politikave publike dhe menaxhimit.
Duke qenë pjesë i një komuniteti që përballet me sfida të shumta në arsim, veçanërisht në arsimin e lartë, ai është shembull se si përmes përpjekjes dhe shfrytëzimit të mundësive mund të ndërtohet një e ardhme e suksesshme, duke ndikuar jo vetëm në jetën individuale, por edhe në fuqizimin e të gjithë komunitetit.
Një raport i publikuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë në mars 2024, thekson se përkundër përpjekjeve të Ministrisë së Arsimit, fëmijët nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë të Kosovës vazhdojnë të përballen me braktisje të shkollës, vijim të parregullt dhe mos-regjistrim.
Duke pasur parasysh me sfidat e shumta që përballet komuniteti i tij, Alisani ka orientuar interesat e tij akademike drejt çështjeve sociale dhe udhëheqjes, me synimin për të ndihmuar të tjerët. “Më pëlqen të zgjidh probleme dhe të bashkëpunoj me njerëzit. E shoh veten si lider të mirë, por edhe si lojtar të fortë të ekipit,” thotë ai.
Të ndihmojë të tjerët, në zemër të aktivizmit
Aktivizmi i Alisanit buron nga dëshira për të ndihmuar të tjerët. Ai është angazhuar në projekte dhe organizata të ndryshme që synojnë ndryshime pozitive shoqërore.
Përveç angazhimit në aktivizëm, poezia është një pjesë e pandashme e jetës së tij. “Shkrimi është mënyra më e mirë për të shprehur veten,” shpjegon ai. Poezitë e tij pasqyrojnë përvojat si pjesëtar i komunitetit rom dhe trajtojnë tema si dashuria, familja dhe miqësia.
Rrugëtimi i tij në aktivizëm mori hov pas përfundimit të shkollës së mesme, kur vendosi të bëjë një pauzë njëvjeçare. “Ishte një nga vendimet më të mira që kam marrë,” kujton ai. Gjatë kësaj kohe, ai u përfshi si vullnetar në organizata të ndryshme dhe krijoi lidhje me persona që ndanin të njëjtat vlera për ndryshime shoqërore dhe fuqizim.
Një prej mundësive që ai shfrytëzoi ishte puna praktike në Departamentin e Verifikimit të Diplomave të Ministrisë së Arsimit, mbështetur nga OSBE-ja. Aty, Alisani pati një rol kyç në verifikimin e diplomave të studentëve nga Mitrovica e Veriut – një proces administrativ me ndikim të madh për përfshirjen ekonomike dhe fuqizimin e të rinjve në Kosovë.
Fuqizimi i të rinjve romë, ashkali dhe egjiptianë të Kosovës
Programi i punës praktike i OSBE-së synon të mbështesë të rinjtë romë, ashkali dhe egjiptianë duke u ofruar përvojë praktike në institucionet publike të Kosovës. Çdo vit, praktikantët e përzgjedhur dhe të vendosur në institucione të ndryshme, fitojnë përvojë profesionale, trajnime dhe mentorime duke iu dhënë mundësinë të mësojnë nga afër funksionin e institucioneve shtetërore.
Mes majit dhe korrikut 2024, Alisani ishte një nga tetë praktikantët e përzgjedhur për të përfunduar praktikat e tyre në institucione të ndryshme, duke përfshirë Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë, Zyrën për Qeverisje të Mirë, Radio Televizionin e Kosovës (RTK), Ministrinë e Zhvillimit Rajonal dhe Ministrinë e Kulturës dhe Rinisë.
Që nga lansimi i programit më 2020, 38 të rinj kanë përfunduar praktikat në institucione të ndryshme publike. Përkushtimi i programit për të investuar tek të rinjtë përmes praktikave dhe formimit profesional vazhdon të japë rezultate, ku disa prej tyre kanë marrë oferta punësimi brenda institucioneve ku kanë kryer praktikën, ose janë angazhuar në institucione të tjera publike.
Një partner kyç në suksesin e këtij programi është Roma Versitas Kosova, një organizatë e përkushtuar për fuqizimin e të rinjve nga komunitetet e margjinalizuara. Ky bashkëpunim ka qenë thelbësor në suksesin e vazhdueshëm të programit.
Një rrugëtim drejt zhvillimit personal
Nga aktivizmi, poezia dhe tek puna me OJQ-të, praktika në Ministri ishte një ndryshim i madh për Alisanin. “Me OJQ-të, gjithçka është – të themi – më e lehtë,” shpjegon ai. “Por praktika këtu ishte ndryshe. Kishte shumë përgjegjësi dhe e kuptova sa e rëndësishme është puna.”
Fillimisht, numri i madh i dokumenteve dhe kompleksiteti i punës e trembën, por me mbështetjen e kolegëve, ai u përshtat shpejt dhe gjeti kënaqësi në punën e tij. “Në fillim ishte sfiduese me të gjitha letrat dhe dosjet, por mësova shumë,” reflekton ai.
Gjatë praktikës pati një përvojë sfiduese, por edhe shpërblyese. Përgjegjësia e tij kryesore ishte menaxhimi i të dhënave të verifikimit të diplomave. Çdo ditë, ai vendoste informacionin e kërkuar në sistem, duke u siguruar për saktësinë dhe efikasitetin e tij.
Duke qenë i rrjedhshëm si në shqip ashtu edhe në serbisht, shpesh ndihmonte në përkthime për ata që kishin nevojë të navigonin procesin burokratik të verifikimit. Çdo javë, ai mori pjesë në takime me ekipin administrativ për të shqyrtuar procesin e verifikimit dhe për të siguruar që të gjitha dokumentet ishin gati për miratim.
Pavarësisht presionit, ai fitoi vetëbesim në aftësitë e tij për të përballuar përgjegjësitë e punës. “Ishte stresuese, por në një mënyrë të mirë,” thotë ai. “Më dha ndjesinë e presionit, por edhe vetëbesimin se mund ta bëj këtë punë dhe se jam më i përgatitur për të kaluar në një fazë më të pjekur të jetës.”
Praktika e tij në Ministri i dha njohuri rreth dallimeve mes sektorit privat dhe atij publik. “Në institucionet publike, ekziston një hierarki dhe gjithçka varet nga vendimet e njerëzve që janë në krye. Mësova shumë për mënyrën si funksionon sistemi dhe tani e vlerësoj edhe më shumë punën e institucioneve publike,” shpjegon ai.
Kjo përvojë i forcoi dëshirën për të ndihmuar të tjerët. “Më motivoi edhe më shumë të vazhdoj,” thotë ai. “Çdo emër, çdo dosje – përfaqësonte një person, një jetë që mund të ndryshonte. Kjo ishte ajo që më shtyu të vazhdoja, edhe kur puna bëhej e lodhshme.”
Një ndryshim frymëzues në zvogëlimin e hendekut arsimor
Cordelia Lafferty, nga Sektori për Komunitete në Misionin e OSBE-së, është përgjegjëse për programin. “Ky program është një nga aktivitetet e mia të preferuara. Nga momenti i parë kur takoj të rinjtë gjatë rekrutimit dhe diskutojmë qëllimet e tyre, deri te ceremonia e certifikimit kur e tregojnë përvojën e tyre dhe e sheh që çdo praktikant ka një rrugëtim unik,” thotë ajo. “Ky program vërtet tregon se sa shumë përfiton prej tij, është edhe në varësi të asaj sa jep.”
Megjithatë, sipas saj, është edhe sfiduese. “Këta të rinj mbajnë peshën e përfaqësimit të komuniteteve të tyre në institucione ku prania e romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve është e vogël. Vetë prania e tyre sfidon paragjykimet dhe ka një ndikim të madh.”
Duke parë suksesin e programit ndër vite, Cordelia thekson: “Tani institucionet na pyesin vetë se kur do të marrin praktikantin e tyre të radhës. Kjo tregon se programi po thyen stereotipet dhe po krijon mundësi të reja për të rinjtë. Ata janë të aftë, të motivuar dhe po hapin rrugën për përfshirje dhe mirëkuptim më të madh.”
Alisani shpreson, që në të ardhmen, të përdorë edukimin dhe përvojën e tij për të kontribuar më shumë për komunitetin rom të Kosovës.
"Kjo përvojë më ndihmoi të kuptoj se ka aq shumë mundësi, dhe nëse ke dikë që thjesht të shtyen që të aplikosh dhe të shfrytëzosh mundësitë, mund të arrish çfarë të dëshiron. Pas këtij programi po përpiqem që unë të jem kjo shtytje për të tjerët."
Ai është i vendosur të vazhdojë studimet dhe të ndjekë një karrierë në fushën e paqes dhe zgjidhjes së konflikteve. “Kam mundësinë të shkoj në universitet, por shumë të tjerë nuk e kanë këtë mundësi, dhe ndjej një përgjegjësi për t’i ndihmuar, për t’i kontribuar komunitetit tim.”
“Nëse mund të ndihmoj qoftë edhe pak, ia vlen. Suksesi për mua është të jem një shembull pozitiv dhe të përdor atë që kam mësuar për ta bërë botën një vend më të mirë,” përfundon ai.