OSBE lanson publikim për edukimin medial dhe informativ për të forcuar qëndrueshmërinë e mediave në Kosovë

PRISHTINË, 20 mars 2025 – Misioni i OSBE-së në Kosovë ka publikuar një seri gjithëpërfshirëse të artikujve analitikë (përmbledhje të politikave) mbi edukimin medial dhe informativ që synojnë adresimin e sfidave në rritje që burojnë nga keqinformimi, dezinformimi, manipulimi digjital dhe shqetësimet etike në botën mediatike.
I titulluar "Përtej lajmeve të rreme: avancimi i edukimit medial dhe informativ për një shoqëri të informuar", botimi përmban gjashtë artikuj analitikë që ofrojnë një analizë të thellë të çështjeve kryesore të lidhura me edukimin mediatik, duke përfshirë inteligjencën artificiale në edukim, etikën e medias, përfaqësimin gjinor dhe rreziqet në internet.
Këta artikuj kanë për qëllim të shërbejnë si burim për politikëbërësit, edukatorët, profesionistët e medias, gazetarët, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet akademike në Kosovë, dhe t’i ndihmojnë përpjekjet për zhvillimin e strategjive të qëndrueshme në fushën e edukimit mediatik dhe promovimin e një qasjeje kritike dhe të përgjegjshme ndaj konsumit dhe prodhimit të mediave,” tha Pascale Roussy, Drejtoreshë e Departamentit të Demokratizimit në Misionin e OSBE-së në Kosovë.
“Ato e theksojnë rëndësinë e integrimit të edukimit mediatik në sistemin formal të arsimit, duke siguruar që studentët të jenë të pajisur me aftësitë për të naviguar në mjedisin kompleks të medias së sotme,” shtoi ajo.
Artikujt theksojnë nevojën për programe gjithëpërfshirëse të trajnimit për mësimdhënës që do t'u mundësojnë atyre të përfshijnë në mënyrë efektive parimet e edukimit mediatik në metodologjitë e tyre të mësimdhënies. Duke trajtuar rolin e inteligjencës artificiale në hapësirën e informacionit, artikujt elaborojnë se si po formësohet diskursi publik nga IA, rreziqet që lidhen me dezinformimin e gjeneruar nga IA dhe rëndësinë e promovimit të edukimit rreth IA tek studentët dhe mësimdhënësit.
Rritja e vetëdijesimit për rreziqet në internet është një tjetër aspekt kritik i botimit. Me përhapjen e shpejtë të dezinformatave dhe propagandës, edukimi mediatik është gjithnjë e më i rëndësishëm për të ndihmuar individët në vlerësimin e tyre kritik të përmbajtjes digjitale dhe njohjen e teknikave të manipulimit. Artikujt diskutojnë rolin e edukimit, rregullimit dhe fushatave të vetëdijesimit të publikut në zbutjen e ndikimit negativ të informacionit të rrejshëm dhe forcimin e besimit të publikut në burimet e besueshme të lajmeve.
Duke i pajisur palët me strategji të bazuara në fakte dhe rekomandime konkrete për politika, Misioni synon të promovojë një shoqëri të edukuar në aspektin medial, të rrisë qëndrueshmërinë demokratike dhe të luftojë përhapjen e dezinformatave në Kosovë. Përmes angazhimit të vazhdueshëm me politikëbërësit, institucionet e medias dhe shoqërinë civile, Misioni i OSBE-së në Kosovë mbetet i përkushtuar në mbështetje të lirisë së mediave dhe forcimin e integritetit të hapësirës së informacionit.
Përmbledhja e artikujve është këtu: https://www.osce.org/sq/mission-in-kosovo/587876