Dëshmitarë të kohës së tyre: Udhëtimi i Sandrës me Programin Media Fellowship
Gazetarët nuk janë vetëm vëzhgues të kohës së tyre. Ata janë edhe tregimtarë dhe interpretues të asaj që ndodh përreth nesh. Roli i tyre, përtej raportimit, buron nga përgjegjësia për të ofruar lajme të sakta, të paanshme dhe etikisht të qëndrueshme. Prandaj, standardet profesionale në gazetari janë thelbësore.
Sandra Dobrić, gazetare në Radio Kontakt Plus në Mitrovicën e Veriut, është një shembull i tillë. Si një nga tetë gazetarët e përzgjedhur nga e tërë Kosova për programin prestigjioz të OSBE-së Media Fellowship, Sandra përfaqëson diversitetin e gjuhëve dhe perspektivave në peizazhin mediatik të Kosovës.
Media Fellowship ose programi për gazetarë të rinj, edicioni i gjashtë i të cilit u organizua në maj 2024, vazhdon t’i ngritë kapacitetet e gazetarëve për mbajtjen e standardeve profesionale dhe raportimin etik. Përmes këtij Programi Sandra përfitoi nga një vizitë studimore transformuese pesë-ditore në institucione dhe media në rajon.
Shfrytëzimi i mundësive
Pasi na përshëndet te dera e radios, Sandrës i ndriçon fytyra në një mëngjes të zymtë.
Pasi përfundoi studimet në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Fakultetin e Shkencave Politike, ajo u kthye në vendlindjen e saj në fshatin Joshevik afër Banjskës, me aspirata për t’i përmirësuar kushtet e jetesës dhe përmbajtjen kulturore në komunitetin e saj.
Megjithatë, shpërthimi i pandemisë COVID-19 ndryshoi planet e saj. Duke kërkuar një punë, asaj iu ofrua mundësia për ta provuar veten si gazetare. Meqë ajo postonte shumë në rrjete sociale, siç thotë vetë, si influencuere, vendosi ta shfrytëzonte mundësinë. Ditët e para nuk ishin të lehta, por krijohet përshtypja se kjo vajzë e re dhe e zgjuar nuk dorëzohet lehtë. Pas njëfarë kohe, ajo jo vetëm që shkruante lajme për faqen e internetit të radios, siç ishte planifikuar fillimisht, por gjithashtu drejtonte emisione radiofonike kur ishte e nevojshme.
Tashmë me afër dy vjet karrierë, ajo me krenari tregon se puna e saj kryesisht përqendrohet në historitë njerëzore dhe jetën në Kosovë.
Pika e kthesës
Sandra dëgjoi për Programin Media Fellowship të OSBE-së nga redaktorja e saj, Mirjana Milutinović, e cila gjithashtu kishte përfituar nga programet e OSBE-së disa vite më parë. Pasi kishte fituar njohuri të vlefshme në gazetari gjatë përvojës së saj, gjë që gjithashtu shënoi pikë kthese në karrierën e saj, Mirjana e inkurajoi Sandrën që të aplikonte, duke besuar se do të ishte mundësi e shkëlqyer për t’i zgjeruar horizontet e saj profesionale.
“Si ndryshe do të kisha pasur mundësinë t’i vizitoj të gjitha ato shtëpi të mëdha mediatike në Tiranë, Podgoricë, Prishtinë dhe Beograd dhe të njihem me punën e tyre dhe të gazetarëve në rajon? Ishte përvojë që mi hapi sytë”, thotë Sandra.
Sandra theksoi se e vlerësoi shumë mundësinë për t’u takuar me kolegët e saj shqiptarë nga Prishtina. Shumica e tyre nuk flisnin serbisht, andaj komunikonin në anglisht. Megjithatë, Sandra tha se përvoja ishte e pasur, meqë diskutuan për interesat e përbashkëta, çështjet ditore dhe mënyrat për t’i fuqizuar gazetarët në përmbushjen e detyrave të tyre.
Shefja e Misionit në Detyrë, Cornelia Taylor, gjithashtu nënvizoi të njëjtat vlera thelbësore të Programit Media Fellowship dhe natyrës së tij të shumanshme. “Synimi ynë është t’i pajisim gazetarët me mjete dhe rrjete esenciale për të pasur sukses në një peizazh mediatik që vazhdimisht ndryshon dhe për ta përmirësuar të kuptuarit e operacioneve mediatike në rajon. Në të njëjtën kohë, programi shërben si platformë për t’i forcuar marrëdhëniet ndërmjet gazetarëve të komuniteteve të ndryshme, shumë prej të cilëve nuk kanë pasur sa duhet mundësi për t’u takuar dhe për të krijuar rrjete që janë më ndryshe,” shtoi ajo.
Sandra ka kujtime veçanërisht të këndshme nga vizitat në shtëpitë mediatike dhe nga redaktorët e gazetarët që ishin të gatshëm t’i takonin të gjithë dhe të përgjigjen në të gjitha pyetjet.
“Të gjithë ishin jashtëzakonisht të sjellshëm dhe mikpritës. Patëm mundësinë t’i vizitojmë redaksitë dhe të takohem me gazetarë. Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte fakti se në mediat e mëdha, disa gazetarë janë të caktuar për të mbuluar fusha të caktuara, gjë që nuk ndodh në shumicën e portaleve të lajmeve lokale.”
Njohuri më të thella
Gjatë programit, Sandra jo vetëm që mësoi për anën operacionale të mediave në rajon, por gjithashtu u përfshi në diskutime me gazetarë nga komunitete dhe media të ndryshme për sfidat me të cilat përballen, si siguria, raportimi në rrethana të ndjeshme apo lufta e vazhdueshme kundër dezinformimit dhe lajmeve të rreme.
“Përkushtimi i gazetarëve që takova më la një përshtypje të thellë,” thotë Sandra. “Më bëri të vlerësoj edhe më shumë kompleksitetin e këtij profesioni dhe ta kuptoj më thellë përgjegjësinë që mbajmë.”
Ajo theksoi se Media Fellowship-i i OSBE-së i dha një mundësi të veçantë për t'u lidhur dhe bashkëpunuar me gazetarë nga i gjithë rajoni.
Kthimi në realitet
“Pata mundësinë të dëgjoj shumë histori të ndryshme nga kolegët gazetarë. Për shembull, ajo që ishte shumë interesante për mua ishin prezantimet mbi gazetarinë hulumtuese, të cilat ndryshuan plotësisht perceptimin tim për gazetarinë, për atë që duhet të hulumtohet dhe ku duhet përqendruar vëmendjen. Po të mos ishte ky program i OSBE-së, nuk do ta kisha pasur mundësinë të takohesha ata njerëz,” thotë Sandra.
E impresionuar nga mediat e mëdha, pajisjet e tyre, studiot, organizimi dhe vëllimi i punës, ajo na kthen në realitet me një histori për sfidat me të cilat përballen gazetarët në mediat më të vogla. Mungesa e gazetarëve në media më të vogla, pasi shumica synojnë të punojnë në shtëpi të mëdha mediatike, ndikon ndjeshëm në organizimin e punës dhe raportimin në këto media.
Zhvillimi i kapaciteteve në peizazhin mediatik që gjithnjë ndryshon
I nisur në vitin 2017, me një ndërprerje dyvjeçare gjatë pandemisë, Programi Media Fellowship ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e talenteve lokale në gazetari, duke promovuar njëkohësisht barazinë gjinore.
Deri më sot, 48 gazetarë nga komunitete të ndryshme janë bërë pjesë e këtij programi të OSBE-së.
Sandra është prurja jonë më e re në këtë grup të përzgjedhur gazetarësh dhe profesionistësh të medias. Por, vlera përfundimtare e Programit nuk qëndron vetëm tek kapacitetet që ajo ka fituar apo kontaktet që ka krijuar, por te vizioni që tani ajo ka për të ardhmen e gazetarisë në komunitetin e saj.
Teksa largoheshim nga Radio Kontakt Plus, ishte e qartë se udhëtimi mediatik i Sandras sapo kishte filluar. Me pasionin e saj për tregimin e historive, kontaktet që ka krijuar dhe aftësitë që Programi i ka ofruar, Sandra do të vazhdojë t'u japë zë historive të pathëna, duke bërë ndikim të ndjeshëm me çdo fjalë që ndan.