Misioni i OSBE-së në Kosovë shënon Ditën Ndërkombëtare të Gruas me aktivitete për fuqizimin e grave

Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Misioni i OSBE-së në Kosovë mbështeti një numër aktivitetesh që kishin për synim fuqizimin e grave, avancimin e barazisë gjinore dhe ngritjen e vetëdijes për kontributin e grave në fusha të ndryshme.
Në mesin e aktiviteteve të mbajtura gjatë javës ishte konferenca “Gratë në Polici – Implementimi i masave transformuese gjinore për fuqizimin e grave në polici”, organizuar në bashkëpunim me Shoqatën e Grave në Policinë e Kosovës (SHGPK). Në prani të presidentes Vjosa Osmani-Sadriu dhe me pjesëmarrje të anëtarëve të UN Women, Agjencisë për Barazi Gjinore, KFOR-it dhe përfaqësuesve të lartë të Policisë së Kosovës, institucioneve, shoqërisë civile, e kontribuuesve kryesorë për barazinë gjinore në sektorin e sigurisë, diskutimi u fokusua në sfidat dhe masat për forcimin e rolit të gruas në forcën policore.
“Forca dhe suksesi i policisë nuk mund të jetë asnjëherë i plotë pa përfshirjen e grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, si dhe në drejtimin dhe komandimin e strukturës së policisë në të gjithë komponentët e saj organizativë dhe operacionalë. Ky nuk është vetëm një objektiv gjinor; është një domosdoshmëri institucionale, një kërkesë shoqërore dhe një standard domosdoshëm për një polici moderne, efektive dhe edhe më të besueshme”, tha presidentja Osmani në fjalën e saj hyrëse.
Aktivitetet vazhduan me konferencën e përbashkët me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës që mblodhi pjesëmarrës lokal e rajonal për të promovuar dialogun dhe për të përforcuar rrjetet në të gjithë rajonin e që kishte në fokus sfidat dhe nevojat e grave gazetare, pasuar nga tryeza e rrumbullakët me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Komunës së Prishtinës, Policisë së Kosovës dhe organizatave të shoqërisë civile për tejkalimin e stereotipeve gjinore me qëllim të arritjes së barazisë gjinore.
Duke i bërë jehonë përpjekjeve të Misionit për fuqizimin e grave, Ushtruesja e Detyrës së Shefes së Misionit të OSBE-së në Kosovë Cornelia Taylor tha: “Barazia gjinore është një përpjekje e vazhdueshme që kërkon shembjen e barrierave të mbetura dhe luftimin e diskriminimit në të gjithë sektorët e shoqërisë. Misioni ynë ka qenë partner i palëkundur i institucioneve dhe organizatave në ndjekje të këtij qëllimi për vite me radhë”, tha ajo.
“Duke ecur përpara, le të vazhdojmë punën krah për krah për të shembur barrierat, për të promovuar përfshirjen dhe për të siguruar që gratë që ia kushtojnë jetën e tyre sigurisë publike, ekspozimit të keqbërësve dhe forcimit të kuadrit ligjor për avancimin e të drejtave të grave, të marrin njohjen dhe mbështetjen që meritojnë”, shtoi Taylor.
Ngjarja e tretë u organizua me Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe kishte në fokus studentët me qëllim të ndërgjegjësimit të tyre për mënyrat dhe rëndësinë e sfidimit të stereotipeve gjinore dhe parandalimin e dhunës me bazë gjinore drejt arritjes së barazisë gjinore.
Me mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike, Misioni i OSBE-së në Kosovë e ka në themel të të gjitha aktiviteteve të tij fuqizimin e grave, barazinë gjinore dhe të drejtat e grave.
Gjatë gjithë javës, Misioni ka mbështetur edhe aktivitete të tjera në mbarë Kosovën, duke përfshirë debate publike, diskutime, punëtori dhe vizita në strehimore për viktimat e dhunës në familje. Këto aktivitete vazhdojnë të pasqyrojë qasjen strukturore të Misionit për promovimin e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore në sektorë të ndryshëm.
Misioni mbetet i palëkundur në përkushtimin e tij për avancimin e barazisë gjinore dhe të drejtave të grave, duke punuar në të gjitha nivelet për të mbështetur më tej një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe të drejtë ku çdo grua dhe vajzë mund të jetojnë pa diskriminim dhe dhunë.