Misioni i OSBE-së i dorëzon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve serverë për të forcuar menaxhimin e zgjedhjeve në Kosovë

Si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të përmirësuar efikasitetin digjital, transparencën dhe integritetin e menaxhimit të zgjedhjeve në Kosovë, Misioni i OSBE-së, së bashku me Ambasadën Gjermane, i dorëzuan sot Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) tre serverë.
Këta serverë pasojnë softuerin zgjedhor që i është dorëzuar KQZ-së vitin e kaluar dhe përmbyllin procesin e digjitalizimit të menaxhimit të zgjedhjeve. Serverët vijnë në një moment kyç para zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Për më shumë se një vit, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka punuar me KQZ-në për të digjitalizuar hapat e ndryshëm të procesit zgjedhor, në përputhje me detyrimet e reja sipas Ligjit të ri për Zgjedhjet,” theksoi gjatë ceremonisë së dorëzimit Cornelia Taylor, Ushtruese e Detyrës së Shefes së Misionit të OSBE-së në Kosovë.
“Të tre serverët që po dorëzojmë sot, të blerë me mbështetjen financiare të Gjermanisë, janë pjesa e fundit që plotëson këtë mozaik. Ata do t’i mundësojnë KQZ-së të krijojë një infrastrukturë teknologjike të besueshme, që garanton funksionimin pa probleme të proceseve të digjitalizuara të zgjedhjeve dhe numërimit. Një dhomë serveri e pajisur mirë është boshti i administrimit modern të zgjedhjeve, për të siguruar që operacionet përmbushin standardet më të larta të saktësisë, sigurisë dhe transparencës,” shtoi Taylor.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, duke falënderuar Misionin e OSBE-së në Kosovë dhe Qeverinë Gjermane për donacionin, tha se ceremonia e dorëzimit shënon një moment të rëndësishëm për KQZ-në, proceset zgjedhore dhe Kosovën. “Ky donacion është investim madhor në integritetin e procesit zgjedhor dhe besimin e publikut për proceset zgjedhore.”
Në fjalën e tij, Ambasadori Gjerman Jörn Rohde tha se donacioni do ta ndihmojë KQZ-në të vazhdojë punën e saj të jashtëzakonshme dhe të sigurojë që edhe zgjedhjet aktuale ashtu edhe ato të ardhshme janë efikase, transparente dhe të sigurta, duke shtuar: “Qëllimi ynë i përbashkët është të mbështesim institucionet zgjedhore të Kosovës në ruajtjen e integritetit të zgjedhjeve dhe forcimin e besimit publik në procesin zgjedhor në Kosovë.”
Donacioni i financuar nga Gjermania është pjesë e një projekti më të gjerë të mbështetur nga Norvegjia, SHBA, Polonia dhe Franca. Është dëshmi e përkushtimit të vazhdueshëm të Misionit të OSBE-së në Kosovë, KQZ-së dhe partnerëve ndërkombëtarë për të forcuar procesin demokratik dhe për të siguruar integritetin e zgjedhjeve në Kosovë.