Me këmbëngulësi për një të ardhme më të sigurt e gjithëpërfshirëse
“Dëshira dhe vullneti i fortë për ‘t'u bërë dikushi’ mund t'ju bëjë vërtet të arrini të pamundurën,” thotë 27-vjeçarja Malborë Qerimi nga Gadimja, e cila ishte pjesë e programit të OSBE-së për Punë Praktike. "Kjo praktikë do të thotë gjithçka për mua."
Malbora është njëra nga 15 të rinjtë e të rejat e përzgjedhur për të marrë pjesë në edicionin e pestë të Programit të Punës Praktikës të Misionit të OSBE-së në Kosovë, organizuar në bashkëpunim me komunat dhe organizatat e shoqërisë civile. Programi pesë-mujor i ndihmon të rinjtë të fitojnë aftësi praktike dhe përvojë që u nevojiten për të pasur ndikim në çështjet publike dhe politike.
Rrugëtimi i Malborës deri te programi është i veçantë: është një histori e kthesave të papritura të jetës dhe një përpjekje për të kapërcyer sfidat dhe për të shkëlqyer. Është edhe histori që tregon pse është e rëndësishme të fuqizohen të rinj të motivuar nga të gjitha sferat e jetës. Potenciali i tyre për të sjellë ndryshime pozitive e të shumëllojshme, pavarësisht sa të mëdha apo të vogla, është qenësor në çrrënjosjen e pabarazive dhe ndërtimin e shoqërive të drejta dhe gjithëpërfshirëse. Kështu ecim në rrugën drejt një të ardhmeje të sigurt për të gjithë ne.
Një histori këmbënguljeje dhe potenciali
Malbora kishte ëndërruar prej kohësh të rritej e të bëhej e pavarur dhe të bënte një punë që kishte rëndësi, por kjo ëndërr pothuajse u shkatërrua 12 vjet më parë.
Në moshën 15-vjeçare, Malbora u godit nga një makinë. Pasi kishte mbetur pothuajse e palëvizshme, ajo nuk ishte e sigurt nëse do të ecte përsëri. Derisa trajtimet e saj në Kosovë dhe jashtë saj e ndihmuan të rifitonte pak lëvizshmëri, trajtimet ishin shumë të shtrenjta për të vazhduar.
“Thjesht nuk mund t’i përballonim,” thotë Malbora. “Por, duhej të bëja diçka. I thashë vetes, ‘ta provoj njëherë si në filma!’”
Kështu Malbora filloi të tërhiqej zvarrë me një karrige. Çdo ditë bëhej pak më e fortë derisa, një ditë, u ngrit në këmbë. “I kërkova babait tim të më mbante nën krahë, derisa unë ngadalë fillova të bëja hapa të vegjël. Përfundimisht, fillova të përdor paterica sepse doja të isha sërish e pavarur.”
Me ndjenjën e pavarësisë së rikthyer, Malbora u përqendrua te e ardhmja e saj. Aksidenti e kishte vonuar shkollimin e saj, por ajo e dinte se ende donte të kishte një punë e karrierë.
Pas kthimit në shkollë, ajo e përfundoi shpejt të mesmen dhe vazhdoi fakultetin. Tani, Malbora dëshiron të shkojë një hap tutje dhe të fillojë Master-in në administratë publike, ku praktika e kryer i dha mundësi unike për ta parë nga afër realitetin e punës institucionale.
“Puna në administratën komunale është pikërisht ajo që dua të vazhdoj të bëj në të ardhmen pasi të mbaroj programin Master,” thotë Malbora gjatë kryerjes së praktikës në seksionin e administratës së përgjithshme në komunën e Lipjanit ku ishte përgjegjëse për bashkërendimin e kërkesave të banorëve në departamente të ndryshme. “Kjo praktikë ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të fituar përvojë. Është gjithashtu e mrekullueshme të shoh në praktikë atë që kam mësuar në universitet.”
Fuqizimi i liderëve të ardhshëm
Malbora dhe 200 pjesëmarrësit e tjerë që kanë marrë pjesë në programin e OSBE-së për Punë Praktike që nga viti 2015 janë dëshmi se çfarë janë të aftë të bëjnë të rinjtë kur u jepet mundësia. Kjo është ajo çfarë programi po përpiqet të kultivojë dhe arsyeja pse është bashkuar Komuna e Lipjanit.
“Dëshirojmë t'i afrojmë të rinjtë me të gjitha aspektet e jetës publike dhe politike,” thotë Diamant Bytyqi, Nënkryetar i Komunës së Lipjanit. “Ky program u jep atyre përvojë reale dhe aftësi në bërjen e politikave publike dhe proceset e vendimmarrjes. Jo vetëm që ju ndihmon të fillojnë karrierën e tyre, por edhe të japin kontribute më të vlefshme për komunitetet e tyre. Dhe me fokus në gjithëpërfshirje, programi po ndihmon në thyerjen e barrierave sistematike.”
Diamanti shpjegon se si në Kosovë njerëzit me prejardhje dhe aftësi të caktuara, si p.sh. ata me aftësi të kufizuara ose nga grupet pakicë shpesh mund të përballen me pengesa të konsiderueshme gjatë qasjes në shërbime dhe programe. Kjo mund të komplikohet më tej nga faktorë të tjerë, si të qenit i ri. Përderisa po bëhet përparim në gjithëpërfshirje në shumë drejtime, ka ende shumë për të bërë, si në Kosovë ashtu edhe në mbarë botën.
“Nëse duam që shoqëritë tona të jenë sa më të drejta, të begata dhe të sigurta, ne duhet të fuqizojmë të gjitha pjesët e komuniteteve tona dhe të sigurojmë që udhëheqësit tanë të ardhshëm përfaqësojnë njerëz të ndryshëm të cilëve u shërbejnë. Ky program po ndihmon në formimin e liderëve të rinj me forcat dhe historitë e tyre unike si Malbora, dhe kjo është e rëndësishme për komunën tonë,” thotë Diamanti.
Përgjigje holistike ndaj pabarazisë
Por, për të zbërthyer kompleksitetet e pabarazisë dhe për të bërë ndryshime të qëndrueshme duhet më shumë se një program. Prandaj po ndërmerren hapa më të gjerë nga komuna e Lipjanit për të trajtuar në mënyrë holistike pabarazitë me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara.
Me ndihmën e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Komuna e Lipjanit ka hartuar Strategjinë për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara 2024-2027 dhe Planin e Veprimit. Këto dokumente synojnë të krijojnë qasje më të mirë për personat me aftësi të kufizuara në shëndetësi, arsim, punësim dhe shërbime sociale, si dhe t’i ndihmojnë të përfshihen aktivisht në proceset vendimmarrëse komunale.
Objektivat konkrete të Planit të Veprimit synojnë ndryshime të qëndrueshme strukturore dhe sistematike. Disa prej tyre përfshijnë krijimin e zyrave të dedikuara për organizatat që merren me të drejtat e personave me aftësi së kufizuara, përmirësimin e qasjes në transportin publik dhe rritjen e subvencioneve.
Ndërsa zbatohet strategjia dhe plani i veprimit, komuna e Lipjanit dhe Misioni i OSBE-së në Kosovë vazhdojnë të monitorojnë ndikimin e tyre. Rezultatet do të ndihmojnë në krijimin e politikave të ardhshme dhe do të informojnë hapat e ardhshëm drejt ndërtimit të një shoqërie më gjithëpërfshirëse dhe të drejtë për Malborën, për Kosovën dhe për botën.