OSBE përmbyll edicionin e 10-të jubilar të Akademisë së Dialogut për Gra të Reja
Misioni i OSBE-së në Kosovë, në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Serbi, përmbyllën më 21 tetor 2024 edicionin e dhjetë të Akademisë së Dialogut për gra të reja nga Prishtina dhe Beogradi, duke shënuar kështu një dekadë të plotë suksesi në krijimin e urave midis shoqërive, nxitjen e marrëdhënieve ndër-personale, si dhe përforcimin e solidaritetit mes grave.
Duke vazhduar traditën e edicioneve të kaluara, Akademia e sivjetme e Dialogut mblodhi së bashku 24 gra të reja në një program intensiv 10-ditor të përqendruar tek dialogu, ndërmjetësimi e roli kyç i grave në avancimin e mirëbesimit dhe ndërtimit të paqes. Programi ka përfshirë seanca interaktive e diskutime me mysafirë nga fusha e rajone të ndryshme, të cilët frymëzuan reflektime të shumanshme e gjithëpërfshirëse, duke marrë parasysh edhe kontekstet e këndvështrimet e ndryshme historike e gjeografike.
“Krijimi i hapësirave të sigurta ku pjesëmarrëset mund të shprehen lirshëm, të gjejnë tema të përbashkëta dhe të angazhohen në debate të ndjeshme është thelbësore për ndërtimin e besimit, respektit të ndërsjellë, e ndjenjës së komunitetit, dhe shtron një bazë të mirë për tejkalimin e ndasive,” tha Cornelia Taylor, Ushtruese e Detyrës së Shefes së Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Akademia e Dialogut ka bërë këtë gjë në mënyrë të vazhdueshme për 10 vite me radhë, duke i pajisur këto gra të reja me këndvështrime të rëndësishme, e duke i fuqizuar ato që të bëhen lidere të ardhshme, e promotore të ndryshimeve,” shtoi ajo.
Si pjesë e programit, pjesëmarrëset dëgjuan rrëfimin personal të një ish-luftëtareje të Ushtrisë Republikane Irlandeze (IRA), panë dëshmi prekëse të personave që janë ndarë nga Perdja e Hekurt, u angazhuan në diskutime me zyrtare të OSBE-së për çështje gjinore, dhe dëgjuan pikëpamjet e një gruaje paqe-ndërtuese, që i ka kushtuar jetën e saj përbashkimit të grave në Qipro, duke marrë kështu perspektiva të thella mbi sfidat e mundësitë në kuadër të nxitjes së paqes e dialogut. Ato patën rastin të dëgjojnë edhe nga Liljana Pahiloviqi, Përfaqësuese e Posaçme e Kryesueses së OSBE-së për Çështje Gjinore, nga pjesëtaret e “Iniciativës Na Ndiqni” Teuta Sahatqija, Gordana Čomić dhe Marija Obradović, si dhe deputetja Mimoza Kusari-Lila.
Duke folur për përvojën e saj në Akademi, Una Danilović, pjesëmarrëse nga Beogradi, tha: "Hapësira e sigurt që ne arritëm të ndërtonim gjatë 10 ditëve të kaluara më ka mundësuar të flas për të kaluarën, si dhe të trajtoj tema të vështira me pjesëmarrëset tjera, pa pasur frikë apo ngurrim. Duke mbështetur njëra-tjetrën, krijuam një zë kolektiv, i cili ka potencialin të krijojë një narracion më ndryshe, më gjithëpërfshirës, në komunitetet tona.”
“Mendon që i di të gjitha që duhet t’i dish për palën tjetër, e pastaj kur i takon, e vëren që gati që nuk di asgjë fare. I sheh për atë që ato janë në të vërtetë – gra të reja të shkëlqyeshme që do ta ndryshojnë botën. Akademia e Dialogut më ka mësuar që është lehtë t’i shikosh gjërat përmes lensit të historisë e politikës – të shikosh përmes lensit të paqes është pjesa e vështirë,” tha Amina Kaja, pjesëmarrëse nga Prishtina.
I mbajtur në Goricia (Itali) - Nova Gorica (Slloveni), programi kishte edhe sesione specifike mbi të kaluarën e këtij territori historikisht të ndarë, por edhe diskutime largpamëse mbi mundësitë e nxitjes së bashkëpunimit për një të ardhme të përbashkët.
Edicioni jubilar përfundoi me një organizim përmbyllës ku u theksua përkushtimi i OSBE-së ndaj avancimit të kontributit të grave në dialog e në ndërtim të besimit, si dhe u nënvizua kontributi i madh i grave të shquara, eksperteve e të diplomuarave nga Akademia e Dialogut, gra këto që e kanë bërë Akademinë ajo çfarë është sot: rrugëtim transformues që nxit ndryshime të qëndrueshme pozitive, në nivel personal e shoqëror.