Misioni i OSBE-së mbështet Akademinë e Kosovës për Siguri Publike të nënshkruaj marrëveshje bashkëpunimi me Akademinë e Drejtësisë së Karolinës së Veriut
Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) dhe Akademia e Drejtësisë e Karolinës së Veriut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ADKV) nënshkruan sot një marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi. Marrëveshja është rezultat i punës programore të Misionit të OSBE-së që synon zhvillimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve të AKSP-së për t’i trajnuar profesionalisht gjeneratat e reja të zyrtarëve të sigurisë publike.
Marrëveshja u nënshkrua nga Zëvendësdrejtori i ADKV-së, z. Christopher Anderson, i cili vizitoi AKSP-në në cilësinë e përfaqësuesit kryesor të ADKV-së dhe nga Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, z. Kastriot Jashari, përkrahur nga Jeta Tela-Shema nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Nëpërmjet kësaj marrëveshje, AKSP dhe ADKV zotohen që t’i shkëmbejnë planprogramet dhe standardet e sigurimit të cilësisë, të krijojnë rrjet të instruktorëve, si dhe t’i ndajnë synimet e planifikimit strategjik që do të çojnë të dy akademitë drejt një të ardhmeje të fuqishme të edukimit për siguri publike dhe zhvillim të karrierës.
“Akademia e Drejtësisë e Karolinës së Veriut dhe Departamenti i Drejtësisë i Karolinës së Veriut janë të përkushtuara për ta mbështetur marrëveshjen e nënshkruar sot dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me AKSP-në. ADKV është e përkushtuar të zhvillojë karrierat e profesionistëve të sigurisë publike përmes mbështetjes dhe bashkëpunimit tonë në të ardhmen. ADKV është falënderuese ndaj Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e dhënë në suazat e përpjekjes për ta nënshkruar këtë marrëveshje” - tha z. Anderson.
Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, z. Jashari, tha: “Dëshiroj ta falënderoj Misionin e OSBE-së në Kosovë dhe Zëvendësdrejtorin e Akademisë së Drejtësisë në Karolinën e Veriut, Chris Anderson, për arritjen e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme ndërmjet dy akademive. Ndër dobitë e shumta të kësaj marrëveshjeje historike, do të doja të theksoja veçanërisht shkëmbimin e ekspertëve të fushës dhe hartimin e kurrikulës, si dhe vullnetin e akademive për ta çuar përpara zhvillimin e akademisë në nivel ekzekutiv dhe sigurimin e cilësisë.”
Nënshkrimi i marrëveshjes së sotme vjen pas vizitës së parë të ADKV-së në AKSP në vitin 2023 - me përkrahje të OSBE- së - që ndihmoi në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy akademive dhe njoftimin e AKSP-së me mekanizmat e akredituar dhe të testuar të sigurimit të cilësisë, si dhe me kurrikulën dhe përgatitjen e instruktorëve, që përbëjnë standardet kryesore të vendosura nga Shoqata Ndërkombëtare e Drejtorëve të Standardeve dhe Aftësimit për Agjencitë e Zbatimit të Ligjit (IADLEST ) dhe të përdorura nga akademitë në SHBA.
Aktiviteti vijues, i mbështetur po ashtu nga Misioni i OSBE-së, u realizua në vitin 2024, ku përfaqësuesit e AKSP-së dhe agjencive të saj të sigurisë publike vizituan ADKV-në në SHBA dhe promovuan tutje nismat për sigurim të cilësisë dhe zhvillim të kurrikulës.
Misioni do të vazhdojë që të punojë me AKSP-në, Policinë e Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme për ta përforcuar komponentin e aftësimit të personelit aktual dhe të ardhshëm të agjencive të sigurisë publike.