Misioni i OSBE-së në Kosovë mbështet Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në forcimin e proceseve zgjedhore përmes dorëzimit të softuerit zgjedhor
Sot, në një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të proceseve zgjedhore në Kosovë, Misioni i OSBE-së i dorëzoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) softuerin për digjitalizimin e numërimit të votave dhe tabulimin e rezultateve të zgjedhjeve.
Softueri i sapo zhvilluar, produkt i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Misionit të OSBE-së, KQZ-së dhe kompanisë softuerike CACTTUS, përfaqëson arritje të rëndësishme në përpjekjet e vazhdueshme për digjitalizimin e infrastrukturës zgjedhore në Kosovë. I krijuar në përputhje me detyrimet e reja që burojnë nga ligji zgjedhor i ndryshuar e plotësuar së fundmi, softueri do të lehtësojë menaxhimin e zgjedhjeve, do ta përmirësojë saktësinë e të dhënave, do të sigurojë rezultate në kohë dhe të besueshme dhe do ta rrisë transparencën e numërimit dhe tabulimit të rezultateve për publikun.
“Ky softuer është më shumë se vetëm avancim teknologjik, ai përfaqëson përparim thelbësor në forcimin e demokracisë, rritjen e besimit të publikut dhe siguron që zgjedhjet në Kosovë të zhvillohen me integritet dhe transparencë maksimale, duke përdorur dy gjuhët zyrtare dhe duke pasur parasysh nevojat e të gjitha komuniteteve,” tha Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Michael Davenport, në ceremoninë e dorëzimit.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha: “Në këtë kohë të zhvillimit të madh të teknologjisë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po bënë hapa të konsiderueshëm në digjitalizimin e operacioneve zgjedhore. Softueri i KQZ-së, i cili është zhvilluar me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ka për qëllim të avancojë shërbimet e institucionit për votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit e zgjedhjeve.”
“Andaj, në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shpreh mirënjohjen për OSBE-në dhe Ambasadorin Davenport, në ndihmën e dhënë në këtë drejtim,” shtoi ai.
Misioni i OSBE-së do të vazhdojë ta mbështesë KQZ-në për të forcuar më tej proceset zgjedhore në Kosovë, për t'i bërë ato më profesionale, më gjithëpërfshirëse dhe më të ndjeshme në aspektin gjinor.