Misioni i OSBE-së në Kosovë: 25 vite së bashku
Derisa orët e pasdites ikin e perëndimi i diellit afrohet - pasi kanë përfunduar të gjitha përgatitjet e fundit - gjithçka është gati për të pritur miqtë e partnerët në festën për shënimin e 25 vjetorit të themelimit të Misionit të OSBE-së në Kosovë.
25 vjet më parë, më 1 korrik 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë u mandatua nga Këshilli i Përhershëm i OSBE-së të ketë rol udhëheqës në çështjet që kishin të bënin me ndërtimin e institucioneve demokratike dhe të drejtat e njeriut, organizimin dhe mbikëqyrjen e zgjedhjeve, si dhe trajnimin e forcës së sapokrijuar policore. Që nga ajo kohë, ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm i punës së palodhur dhe arritjeve të panumërta, nga krijimi i institucioneve demokratike deri te promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe forcimi i sektorit të sigurisë publike.
Mbrëmja që shënon përvjetorin ka mbledhur mysafirë të ndryshëm, personalitete vendore e ndërkombëtare, përfshirë Kryeministrin Albin Kurti dhe shumë kryetarë komunash nga e tërë Kosova, ambasadorë e përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile. Në mesin e të ftuarve janë edhe pjesëtarët e Misionit në shërbim që nga korriku dhe gushti i vitit 1999, të përkushtuar ndaj realizimit të vazhdueshëm e të suksesshëm të mandatit të Misionit.
Festojmë OSBE-në dhe falënderojmë partnerët
“Ky është rast për të festuar OSBE-në dhe për të falënderuar të gjithë partnerët e Misionit të OSBE-së”, thotë Shefi i Misionit, Ambasadori Michael Davenport, duke mirëpritur mysafirët.
“Gjatë këtyre 25 viteve, kosovarët së bashku kanë arritur gjëra vërtetë të mëdha. Ju keni krijuar institucione efektive demokratike nga e para, keni krijuar një mjedis dinamik politik e demokratik dhe pluralizëm medial, me një shoqëri civile aktive, si dhe keni formuar organe gjithëpërfshirëse dhe llogaridhënëse të sigurisë publike, duke përfshirë Policinë e Kosovës. Keni krijuar institucione të pavarura, siç janë Avokati i Popullit, këshilli gjyqësor dhe ai prokurorial, si dhe keni miratuar një kornizë solide ligjore për t’i mbrojtur të drejtat e njeriut, përfshirë të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe të komuniteteve fetare,” thekson Ambasadori Davenport.
“Mund të vazhdoj tutje,” shton ai, “por ajo që dua të them është se këto janë arritje të jashtëzakonshme të Kosovës dhe Misioni i OSBE-së është krenar që ju ka përkrahur në çdo hap të këtij rrugëtimi të jashtëzakonshëm, duke i qëndruar besnik mandatit të vet.”
Duke folur për kontributin e Misionit, Kryeministri Kurti thekson: “Përgjatë viteve, OSBE-ja na ka ndihmuar të kemi një demokraci më të fortë, duke investuar në sigurinë tonë dhe të drejtat e njeriut. Ndër nismat e shumta të saj janë mbështetja për Akademinë tonë të Policisë, ndihma për transmetuesin tonë publik, si dhe ndihma për institucionet që mbikëqyrin proceset zgjedhore, si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.”
“Gjatë mandatit tim, pata fatin të punoj me Ambasadorin Davenport, Shefin e Misionit. E vlerësoj veçanërisht bashkëpunimin e krijuar ndërmjet zyrës sime si Kryeministër dhe OSBE-së, veçanërisht në lidhje me komunitetet joshumicë. Në këtë kohë kaq të rëndësishme për sigurinë e rajonit, jo vetëm për vendin tonë, jam mirënjohës për profesionalizmin, kujdesin dhe mbështetjen e treguar, si dhe për pasionin për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, demokracinë dhe prosperitetin e popullit dhe shoqërisë sonë”, shton Kryeministri Kurti.
Prani në çdo cep
Përtej rolit vendimtar në promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, fuqia e Misionit qëndron edhe te prania e saj e veçantë në mbarë Kosovën, përmes pesë Qendrave Rajonale, në të gjitha 38 komunat e Kosovës, duke mundësuar kështu kontakte të rregullta me institucionet dhe komunitetet lokale. Po ashtu, 25 vjet më vonë, bashkëpunimi i Misionit me institucionet e pavarura, shumë prej të cilave ka ndihmuar të themelohen, vazhdon të forcohet.
Folësit që u dhanë mysafirëve një pasqyrë të shkurtër të kësaj lidhjeje të veçantë përfshinijnë: Lindita Sejdiu-Rugova, Dekane e Fakultetit Filologjik në Universitetin e Prishtinës, Srdjan Sentic, Zëvendësavokat i Popullit, Fatmir Menekshe, Udhëheqës i OJQ-së Durmish Aslano dhe Drejtor i Radio Romano Avazo, Dashurie Ahmeti, Udhëheqëse e Sektorit të Rinisë në Ferizaj, dhe Jelena Bulatovic, Drejtoreshë e OJQ-së Qendra për Komunitetet Pakicë në Graçanicë.
Nga perspektivat e tyre, ata theksojnë se, qoftë për sa i përket themelimit të Institucionit të Avokatit të Popullit, ofrimit të asistencës për programin e Ballkanistikës në Universitet, fuqizimit të OJQ-ve lokale, apo mbështetjes së kontakteve ndërmjet institucioneve komunale dhe komuniteteve joshumicë, OSBE-ja ka qenë partner i vërtetë dhe mbështetës i madh.
Gëzuar për më shumë suksese të ardhshme
“Ndërtimi i demokracisë nuk përfundon kurrë. Por, Misioni i OSBE-së do të jetë këtu për t’ju mbështetur në konsolidimin e institucioneve demokratike të Kosovës, forcimin e kuadrit të saj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe komuniteteve dhe thellimin e angazhimit të organeve të sigurisë publike me të gjitha komunitetet,” përfundon Ambasadori Davenport.
Ndërsa mbrëmja i afrohet përmbylljes, atmosfera përçon optimizëm e bashkëpunim, me përkushtim të përbashkët për arritje të ardhshme në rrugëtimin e Kosovës drejt stabilitetit dhe prosperitetit.