Misioni i OSBE-së mbështet Akademinë e Kosovës për Siguri Publike të përmirësoj resurset për sigurim të cilësisë
Misioni i OSBE-së mbështeti një delegacion prej gjashtë zyrtarësh të lartë të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike (AKSP) dhe agjencive të saj në realizimin e një vizite në Akademinë e Drejtësisë së Karolinës Veriore (NCJA) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga 27 maji deri më 1 qershor 2024.
Vizita u realizua në suazat e përpjekjeve të vazhdueshme të Misionit për ta mbështetur AKSP-në në ngritjen e komisionit të përbashkët për sigurim të cilësisë, i cili do të sigurojë cilësinë e programeve të trajnimit të AKSP-së dhe do t’i adresojë rekomandimet që dalin nga Raporti i vlerësimit i OSBE-së për AKSP-në për vitin 2023. Duke u bazuar në njohuritë dhe përvojën e fituar gjatë kësaj vizite, AKSP do të fillojë së shpejti me hartimin e procedurave standarde të veprimit për krijimin e Komisionit të Përbashkët për Sigurim të Cilësisë.
Në NCJA, delegacioni u njoftua me modalitetet më të fundit që do të ndihmonin në adresimin e rekomandimeve të dhëna nga Autoriteti i Kualifikimeve i Kosovës dhe Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve për Standarde dhe Trajnime për Zbatimin e Ligjit (IADLEST), i cili e ka akredituar NCJA-në edhe AKPS-në. IADLEST ka akredituar AKSP-në dhe programet e trajnimit profesional të agjencive të saj të sigurisë publike në vitin 2018 dhe 2021, ndërsa procesi i radhës i akreditimit pritet të fillojë në gusht 2024.
"Fitimi i njohurive rreth praktikave më të mira dhe standardeve më të larta ndërkombëtare në lidhje me sigurimin e cilësisë në trajnimet për sigurinë publike, me theks të veçantë në trajnimin bazë për zbatim të ligjit, na ndihmon shumë,” tha Avni Istrefi, Udhëheqës i Divizionit për Marrëdhënie me Jashtë në AKSP.
“Kjo përvojë do t’i ndihmojë AKSP-së veçanërisht me procesin aktual të ri-akreditimit ndërkombëtar nga IADLEST, dhe me intervistat e aktivitetet e inspektimit që do të fillojnë në gusht 2024,” shtoi ai, duke e theksuar lidhjen historike me Misionin e OSBE-së, i cili e ka ndihmuar AKSP-në në ndërtimin e një ure bashkëpunimi me një partner të ri sikundër NCJA.
Gjatë vizitës, drejtuesit e NCJA organizuan vizita për delegacionin edhe në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit në Karolinën Veriore, në Konferencën e Prokurorive të Qarqeve, si dhe në Byronë Shtetërore të Hetimit. Për t’i ndihmuar më tej AKSP-së, NCJA ndau me delegacionin disa programe trajnimi për zbatim të ligjit, përfshirë këtu doracakun me module për trajnim të instruktorëve, së bashku me politikat dhe procedurat për hartimin e sistemit të kurrikulës për përdorim të brendshëm.
Kjo nismë realizohet pas vizitës së NCJA në AKSP në vitin 2023, që ndihmoi në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy akademive dhe njoftimin e AKSP-së me mekanizmat e akredituar dhe të testuar të sigurimit të cilësisë si edhe me kurrikulën dhe përgatitjen e instruktorëve, si standarde kryesore të vendosura nga IADLEST dhe të përdorura nga akademitë në SHBA.