Misioni i OSBE-së në Kosovë finalizon themelimin e Mekanizmave Koordinues kundër Dhunës në Familje në mbarë Kosovën me formalizimin e mekanizmit të fundit në Rahovec
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mbështetur sot nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për formalizimin e Mekanizmit Koordinues kundër Dhunës në Familje (MKKDHF) në komunën e Rahovecit.
MKKDHF në Rahovec është mekanizmi i fundit që themelohet – shumica e të cilëve janë themeluar me përkrahje të OSBE-së, dhe shënon përfundimin e procesit të themelimit të tyre në mbarë Kosovën, me të gjitha 38 komunat tani të mbuluara nga mekanizma funksional. Ligji i miratuar së fundmi për Dhunën në Familje vendos bazën ligjore për mekanizmat, duke kërkuar që të gjitha komunat të krijojnë dhe të ofrojnë fonde adekuate për MKKDHF-të.
“Lufta kundër dhunës në familje kërkon përfshirjen dhe koordinimin e të gjithë akterëve relevant në nivelin lokal - nga sektori i drejtësisë, policia, strehimoret dhe shoqëria civile,” tha Mark Lasser, Shef i Njësisë për Ligj dhe Drejtësi në Misionin e OSBE-së në Kosovë gjatë ceremonisë së nënshkrimit sot.
“Në linjë me mandatin tonë për ndërtimin e institucioneve dhe përkushtimin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ne premtojmë përkrahje për MKKDHF-të në punën e tyre të rëndësishme,” shtoi ai.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, vlerësoi mbështetjen e Misionit të OSBE-së dhe shprehu përkushtimin e komunës për të mbështetur punën e MKKDHF-ve në koordinimin e politikave për luftimin e dhunës në familje në nivel lokal.
Nënshkruesit e Memorandumit të Mirëkuptimit për funksionalizimin e MKKDHF-ve përfshijnë përfaqësues të gjykatave dhe prokurorive, komunave, Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, Policisë së Kosovës, Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, qendrave për punë sociale, qendrave për shëndetin mendor, qendrave të shëndetit familjar, strehimoreve për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe anëtarë të shoqërisë civile.
Anëtarët e MKKDHF-ve punojnë së bashku për të forcuar bashkërendimin, shkëmbimin e informatave dhe angazhimin në nivel lokal në luftën kundër dhunës në familje, duke ndjekur hapa konkretë për të përmirësuar parandalimin, forcimin e mbrojtjes, trajtimin dhe ri-integrimin e viktimave. Ata luajnë rol të rëndësishëm edhe në rritjen e ndërgjegjësimit për dhunën në familje dhe shërbimet në dispozicion të viktimave, si dhe në fuqizimin e viktimave për të raportuar këto krime.
Për të ndihmuar në rritjen e efikasitetit të MKKDHF-ve, Misioni i OSBE-së në Kosovë publikoi në vitin 2023 Udhëzues për MKKDHF-të, një publikim praktik për të kuptuar më mirë rolet dhe përgjegjësitë e anëtarëve të tyre.
Misioni mbetet i përkushtuar në mbështetjen e komunave për të përmirësuar ndihmën për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, për të lehtësuar zbatimin e kornizës ligjore dhe për të përmirësuar koordinimin ndër-institucional.