Pjesëmarrësit e Programit të OSBE-së për gazetarë të rinj “Media Fellowship” 2024 vizitojnë institucionet e mediave dhe mediat në Prishtinë e Beograd
Tetë gazetarë nga media në gjuhë të ndryshme në Kosovë, pjesë e edicionit të gjashtë të Programit të OSBE-së për gazetarë të rinj “Media Fellowship” mbi standardet e gazetarisë profesionale dhe raportimin etik, përfunduan një vizitë studimore pesë-ditore në institucionet e mediave dhe media në Prishtinë dhe Beograd.
Nga 13 deri më 18 maj 2024, gazetarët vizituan një sërë institucionesh mediale, shoqata gazetarësh, organe vetërregulluese, si dhe organizata mediale private dhe publike. Këto vizita në terren u mundësuan pjesëmarrësve të vlerësojnë ngjashmëritë dhe sfidat në edukimin dhe informimin medial, verifikimin e fakteve, rreziqet e paraqitura dhe mundësitë e ofruara nga inteligjenca artificiale dhe zhvillime të tjera në ekosistemin medial.
Gazetarët u takuan edhe me shefin e Misionit të OSBE-së në Serbi, Jan Braathu, i cili i informoi ata për punën e Misionit në industrinë e mediave dhe rolin e tyre në hartimin e Strategjisë për Media dhe Planin e saj të Veprimit.
“Përmes Programit për gazetarë të rinj “Media Fellowship”, kemi parë rolin jetik që luan dialogu dhe bashkëpunimi mes gazetarëve në përforcimin e standardeve gazetareske, raportimin e përgjegjshëm dhe më e rëndësishmja në ndryshimin e narrativave të së kaluarës. Me nxitjen e një mjedisi të mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë, ne mund t'i adresojmë më mirë sfidat me të cilat përballet peizazhi medial si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd”, tha Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Si pjesë e programit, pjesëmarrësit do të dorëzojnë storie që reflektojnë përvojat e tyre nga vizita, duke kontribuar më tej në diskursin mbi praktikat mediatike në rajon.
Gazetarët e përzgjedhur për Programin e këtij viti janë: Adelina Ahmeti (Kallxo.com), Antigonë Isufi (Prishtina Insight), Arbreshë Uka (Klan Kosova TV), Biljana Vllashkoviq (KoSSev), Edona Vuçitërna (Klan Kosova TV), Rrezon Gashi (KOHA), Sandra Dobriq (Kontakt Plus) and Predrag Peroviq (Radio Kosovska Mitrovica). Ata do të jenë pjesë e një programi të ngjashëm edhe në Podgoricë e Tiranë në shtator të vitit 2024.
Nisur në vitin 2017, me një ndërprerje dyvjeçare gjatë pandemisë, programi “Media Fellowship” kultivon talentin e gazetarëve vendorë, duke promovuar barazinë gjinore. Ai vazhdon të shërbejë si mundësi për të forcuar marrëdhëniet mes gazetarëve nga komunitete të ndryshme, si dhe për të shtuar njohuritë e tyre për mënyrën se si funksionon media në rajon.