Fillon edicioni i gjashtë i Programit ‘Media Fellowship’ i Misionit të OSBE-së në Prishtinë
Më 4 prill në Prishtinë filloi edicioni i gjashtë i Programit ‘Media Fellowship’ i Misionit të OSBE-së në Kosovë, iniciativë vjetore e krijuar për të zhvilluar aftësitë e gazetarëve të rinj në peizazhin mediatik që po evoluon me shpejtësi dhe të krijojë rrjet kolegësh gazetarë nga komunitete të ndryshme.
Tetë gazetarë nga e gjithë Kosova do të angazhohen me organizatat lokale të gazetarëve, transmetuesit publikë, këshillat e mediave të shkruara, si dhe mediat hulumtuese në Prishtinë dhe Beograd nga data 13 deri më 18 maj 2024. Në fazën e dytë të programit, gazetarët do të vizitojnë Tiranën dhe Podgoricën në shtator, dhe do të takohen me mediat dhe institucionet atje.
Gjatë programit, gazetarët e rinj do të fitojnë njohuri nga afër për standardet e raportimit profesional, etikën e gazetarisë, teknikat cilësore të raportimit, edukimin medial dhe informativ, si dhe respektimin e kodeve të etikës.
Arlinda Osmanaj, zyrtare e programit në Misionin e OSBE-së në Kosovë, tha se Programi ‘Media Fellowship’ shërben si mundësi e udhërrëfimit, që bashkon gazetarë të rinj nga komunitete të ndryshme dhe i pajis me mjete dhe rrjete thelbësore të nevojshme për sukses në peizazhin e sotëm dinamik të mediave duke lehtësuar lidhjet me gazetarë dhe ekspertë të shquar.
“Duke qenë dëshmitare e rrugëtimeve të gazetarëve të shumtë, jam vërtet e lumtur të shoh këta gazetarë të rinj dhe të talentuar derisa trasojnë rrugën e tyre në këtë profesion të shenjtë. Me nisjen e tyre në rrugën e gazetarisë, këta individë janë gati për t’u bërë zëra shumë të rëndësishëm, duke formësuar kështu diskursin publik, duke mbrojtur lirinë e shtypit dhe duke mbrojtur qasjen në informacione të besueshme”, tha Osmanaj.
Gazetarët e përzgjedhur për programin e këtij viti janë: Adelina Ahmeti, Kallxo.com; Antigonë Isufi, Prishtina Insight; Rrezon Gashi, KOHA; Arbrëshë Uka, Klan Kosova; Sandra Dobrić, Kontakt Plus; Edona Vuçitërna, Klan Kosova; Predrag Perović, Radio Kosovska Mitrovica; dhe Biljana Vlašković, KoSSev.
Programi ‘Media Fellowship’, i nisur në vitin 2017, shërben si platformë për të kultivuar talentin e gazetarëve vendor, duke promovuar barazinë gjinore barazinë gjinore në këtë fushë, dhe është një angazhim i Misionit në punën e tij për të mbështetur zhvillimin e mediave dhe për të nxitur një peizazh të larmishëm gazetaresk në Kosovë. Deri më tani, ka mirëpritur 46 gazetarë nga komunitete të ndryshme në Kosovë, secili duke kontribuar me perspektiva dhe përvoja të veçanta në Programin ‘Media Fellowship’.