Fuqizimi i grave nëpërmjet turizmit dhe zhvillimit ekonomik
Në afërsi të Shpellës së Gadimes në komunën e Lipjanit, një grup grash pronare të bizneseve të vogla janë mbledhur së bashku dhe kanë sjellur me vete prodhime të tyre dhe disponim të mirë. Tenda e ngritur për t'i pritur në një mini-panair ka disa tavolina, të gjitha të mbushura me produkte të ndryshme, nga rrobat e thurura me dorë deri te ushqimet tradicionale, që presin vizitorë të mundshëm.
Ndërsa bëjnë përgatitjet e fundit, një grup tjetër grash mblidhet, gati për t’u bashkangjitur e vizituar tendën. Ky grup përfshin anëtaret e Grupeve Lokale të Grave ngaLipjani dhe Obiliqi, grupe joformale që kryesisht përbëhen nga anëtarët e kuvendeve komunale që avokojnë për avancimin e barazisë gjinore dhe heqjen e barrierave për qasje në mundësi punësimi për gratë dhe vajzat.
Në qendër të gjithë kësaj është Hyra Bytyqi, kryetare e Grupit të Grave në Lipjan dhe zëdhënëse e komunës, nikoqire e të dy grupeve, e cila mirëpret edhe një delegacioni të tretë nga komuna.
Ajo ka zgjedhur dhe planifikuar me kujdes lokacionin, të ftuarit dhe agjendën.
Bashkimi i forcave për ndikim maksimal
“Përmes aktivitetit të sotëm, në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas më 8 Mars, kam dashur të mbështes gratë dhe fuqizimin e tyre ekonomik përmes promovimit të turizmit. Kjo është arsyeja pse zgjodhëm Shpellën e Gadimes; për të promovuar pasurinë tonë kryesore natyrore në komunë, por edhe për t'u dhënë mundësi grave pronare biznesi nga zona që të shfaqin dhe promovojnë punën e tyre dhe të njihen me zyrtarë komunalë dhe mysafiret nga komunat tjera”, thotë Bytyqi.
Bytyqi ftoi zyrtarë të lartë të komunës së saj që ta vizitojnë panairin, duke përfshirë nënkryetarin e komunës Diamant Bytyqi, drejtorët e departamenteve dhe anëtarët e Grupeve te Grave nga Obiliqi për të diskutuar dhe shkëmbyer përvojat e tyre.
“Doja t'i sillja të gjithë në një vend, për të shkëmbyer përvoja, për të mësuar nga njëri-tjetri, për të koordinuar aktivitetet dhe, po aq e rëndësishme, për të njohur njëri-tjetrin dhe për rrjetizim.”
“Besoj se ngjarja ka një vlerë të shtuar, pasi do të nxisë investime të mundshme; menaxhmenti i restorantit dhe i shpellës do t’i njohë gratë pronare të bizneseve dhe jam e sigurtë se do të kenë mundësinë të bashkëpunojnë në të ardhmen dhe të mbështesin njëri-tjetrin. Mund të ketë shumë ide – ndoshta të vogla por me ndikim – si produkte sezonale apo ushqime dhe suvenire tradicionale që mund t’u ofrohen vizitorëve gjatë sezonit turistik”, thotë Bytyqi.
Përkrahja institucionale
Bytyqi, sikurse gratë që ka ftuar, ka nevojë për mbështetje në punën e saj, dhe për këtë aktivitet ka pasur mbështetjen e komunës së Lipjanit dhe Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Gjatë viteve, Misioni i OSBE-së ka mbështetur Grupet e Grave dhe OJQ-të e udhëhequra nga gratë, për t'u ofruar atyre një platformë për të diskutuar politikat që lidhen me barazinë gjinore, qasjen në pronë, dhunën ndaj grave dhe çështje të tjera të ndërlidhura.
“Objektivi primar i aktiviteteve të Misionit ka qenë ngritja e kapaciteteve të grave në mënyrë që ato të mund të trajtojnë efektivisht sfidat në mjedisin e tyre dhe të lobojnë me administratën komunale për ndryshim,” thotë Biljana Nastovska, Këshilltare për Çështjet Gjinore në Misionin e OSBE-së në Kosovë.
“Gratë në nivel lokal, veçanërisht në zonat rurale, përballen me barriera të ndryshme nëse u mungon mbështetja institucionale; ato punojnë pa asnjë përfitim dhe e kanë të vështirë qasjen në jetën publike. Për shembull, raporti më i fundit i Rrjetit të Grave të Kosovës konfirmoi se 42% e banorëve ishin të angazhuar në një formë të punës joformale, me gratë që kishin gati dy herë më shumë gjasa se burrat për të punuar joformalisht, veçanërisht gratë rurale dhe gratë e moshës 46-64 vjeç. Ndonëse informaliteti ekziston në sektorë të ndryshëm, puna bujqësore përfshin informalitet të gjerë, kryesisht të kryer nga gratë,” shton ajo.
Valon Pacolli, drejtor i Departamentit të Ekonomisë dhe Zhvillimit në komunën e Lipjanit, thotë se vizita e tij në panair si përfaqësues komunal tregon mbështetjen morale dhe institucionale të komunës për gratë ndërmarrëse.
“Vitin e kaluar ne kemi mbështetur mbi 30 përfituese – kryesisht gra – me pajisje dhe grante, si pjesë e përpjekjeve tona për të mbështetur ndërrarrësinë, qofshin ato biznese të reja apo ekzistuese. Ne kemi mbi 500 biznese në pronësi të grave në komunën tonë dhe në vazhdimësi mbështesim aktivitete si panairi i sotëm që ndikojnë në zhvillimin e ndërmarrësisë. Në punën time shoh një interesim të jashtëzakonshëm dhe shumë potencial tek gratë e Lipjanit për të hapur bizneset e tyre dhe për të qenë të pavarura ekonomikisht, financiarisht dhe në çdo aspekt tjetër”, thotë ai.
"Ne mund t’ia dalim"
Gratë pjesëmarrëse në panair i bëjnë jehonë kësaj ndjenje. Behare Gashi, nënë e katër fëmijëve, e cila drejton një biznes ushqimi online, thotë se përgatitja e ëmbëlsirave ka qenë gjithmonë pasioni i saj, që kur ishte vajzë e vogël. “Kjo është ajo që kam nisur dhe kjo është ajo që vazhdoj të bëj, me vajzat e mia pranë meje, duke u përpjekur t'u tregoj atyre se çfarë do të thotë të kesh të ardhurat e tua. Unë u them atyre nëse keni punë, jeni mirë, jeni të pavarura, askush nuk mund t'ju shtypë, nuk jeni nën hijen e askujt."
Për Valbona Sopën, që punon prej 20 vitesh në bujqësi, është gjithashtu e rëndësishme mbështetja. “Të gjitha I kam bërë me këtë punë. Fillimisht ishte e vështirë për të filluar një biznes, si për çdo grua, dhe është punë e vështirë, por me pak mbështetje mund t’ia dalim”, thotë ajo.
Ndërsa Bytyqi e përmbyll ditën, ajo është e kënaqur të shton edhe këtë aktivitet të suksesshëm të sotëm në përpjekjet dhe iniciativat e tjera të panumërta për fuqizimin e grave. Një mënyrë e veçantë për të shënuar 8 Marsin, me qëllim përmirësimin e barazisë gjinore dhe avancimin e pozitës së grave, ajo mblodhi së bashku të gjitha palët e interesuara: gratë pronare të biznesit, zyrtarët komunalë, anëtaret e kuvendit komunal dhe menaxhmentin e Shpellës së Gadimes, për të filluar një bashkëpunim potencial të frytshëm.
“Gratë e fuqizuara ekonomikisht mund të mbajnë veten dhe familjet e tyre dhe janë në gjendje të kontribuojnë më shumë për shoqërinë, ato i njohin të drejtat e tyre dhe kërkojnë barazi gjinore, dhe ne duhet të punojmë vazhdimisht për ta arritur atë,” thotë ajo.