Misioni i OSBE-së në Kosovë ndihmon shkëmbimet ndërmjet organizatave të shoqërisë civile përmes Forumit të Shoqërisë Civile
Misioni i OSBE-së në Kosovë përmbylli sot edicionin e 7-të të Forumit të përvitshëm të Shoqërisë Civile, platformë kjo që i mbledh organizatat e shoqërisë civile për t’i trajtuar sfidat dhe çështjet me të cilat përballen dhe për të lehtësuar shkëmbimet konstruktive ndërmjet tyre.
Në edicionin e sivjetmë morën pjesë rreth 80 përfaqësues dhe aktivistë të organizatave të shoqërisë civile nga mbarë vendi që veprojnë në një gamë të gjerë fushash. Në kuadër të paneleve në përbërje të ekspertëve, pjesëmarrësit diskutuan rreth zhvillimeve në lidhje me kornizën ligjore për rininë, si dhe rolin e organizatave të personave me aftësi të kufizuara dhe organizatave tjera të të drejtave të njeriut në raport me monitorimin e zbatimit të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Diskutimet u fokusuan edhe në nevojën për një qasje gjithëpërfshirëse drejt një roli më të fortë të organizatave të shoqërisë civile në shoqëri.
“Aktivizmi dinamik qytetar në të gjitha nivelet është shtyllë themelore e demokracisë dhe zhvillimit social, dhe organizatat e shoqërisë civile janë në pozitë që t'i mbajnë organet qeveritare përgjegjëse për veprimet e tyre” - tha ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Gjithashtu, organizatat lokale, pra ato që janë më së afërmi qytetarëve, kanë potencialin që të dalin me zgjidhje të reja për problemet ekzistuese, duke i angazhuar aktivisht pushtetin lokal dhe banorët”, shtoi ai.
Gjatë diskutimeve, organizatat rinore dhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit konfirmuan sërish angazhimin e tyre për zhvillimin e vazhdueshëm të kornizës më të gjerë për rininë. Tani që Projektligji për rininë është në Kuvend, pjesëmarrësit theksuan nevojën për një proces të hapur dhe transparent konsultimesh në suazat e hartimit të akteve nënligjore përkatëse, proces ky që pritet të fillojë pas miratimit të Ligjit. Krejt në fund, Strategjia për Rininë për vitet 2024-2032 dhe plani gjegjës trevjeçar i veprimit vazhdojnë të përbëjnë dokumentet kyçe të politikave rinore që duhen finalizuar, e që do të vendosin kornizat për zhvillimin afatmesëm dhe afatgjatë të sektorit të rinisë. Misioni i OSBE-së në Kosovë mbetet i përkushtuar fuqishëm ndaj këtyre proceseve dhe mbështetjes së palëve të përfshira në to.
Më tej, Afrim Maliqi, drejtor i HandiKos, theksoi domosdoshmërinë e një qasjeje më të konsoliduar të bazuar në të drejtat e njeriut ndaj të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, duke pasur parasysh ndryshimet kushtetuese që do të përfshijnë Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara si një instrument ndërkombëtar që do të zbatohet drejtpërdrejtë në Kosovë.
Misioni i OSBE-së në Kosovë punon me organizatat e shoqërisë civile në suazat e angazhimit të vet afatgjatë për të përforcuar kontributet e sektorit të shoqërisë civile në jetën publike, dhe në funksion të rritjes së bashkëpunimit dhe bashkërendimit të organizatave të shoqërisë civile me institucionet përkatëse. Misioni organizon Forumin e Shoqërisë Civile çdo vit që nga viti 2016.