Misioni i OSBE-së mbledh përfaqësuesit e bashkësive fetare dhe të Komunës së Prizrenit për të përforcuar dialogun dhe bashkëpunimin

Misioni i OSBE-së në Kosovë organizoi sot një tryezë diskutimi me kryetarin Shaqir Totaj dhe përfaqësues të bashkësive fetare islame, ortodokse serbe, katolike, protestante ungjillore, hebreje dhe tarikatet në Prizren, për të mbështetur Komunën e Prizrenit në promovimin e dialogut dhe kultivimin e partneritetit me bashkësitë fetare.
Institucionet lokale luajnë një rol të rëndësishëm në promovimin e dialogut, respektimin e parimeve të neutralitetit fetar, mosdiskriminimit dhe transparencës. Tryeza e sotme shërbeu si platformë për të diskutuar rreth shqetësimeve, për të gjetur gjuhë të përbashkët dhe për t’i adresuar bashkërisht nevojat e të gjitha bashkësive fetare në Prizren, si edhe është vazhdimësi e aktiviteteve të mëhershme të lehtësuara nga OSBE-ja që synojnë kultivimin e dialogut ndërfetar si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror.
"Liria e fesë ose e besimit është e drejtë themelore e njeriut dhe në thelb të saj qëndron të kuptuarit se çdo shoqëri është e larmishme dhe se respektimi i dallimeve tona është e vetmja mënyrë për të bashkëjetuar në paqe”- tha ambasadori Michael Davenport, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Dialogu i vazhdueshëm ndërfetar, përfshirë përmes forumeve si ky i sotmi, është jetik për promovimin e kësaj të drejte të njeriut dhe për t’i thënë jo çdo lloj mostolerance,” shtoi ai.
Kryetari Totaj vlerësoi lart raportin pozitiv të krijuar me bashkësitë e ndryshme fetare, që u ripohua nga përfaqësuesit fetarë të cilët theksuan bashkëpunimin efektiv me komunën. Si kryetari ashtu edhe udhëheqësit fetarë vlerësuan lart rolin e OSBE-së në lehtësimin e dialogut dhe mirëpritën sugjerimin e organizatës për organizimin e ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen.
Shkëmbimi dhe bashkëpunimi i rregullt ndërmjet bashkësive fetare kontribuon në avancimin e lirisë së fesë ose besimit dhe forcon bazën për bashkëjetesë paqësore. Misioni i OSBE-së në Kosovë do të vazhdojë së avokuari me dhe mbështeturi autoritetet lokale që të kenë një rol aktiv në kultivimin e dialogut ndërfetar dhe krijimin e partneritetit me bashkësitë fetare.