Misioni i OSBE-së mbështet Policinë e Kosovës me trajnime për vlerësimin e nevojave individuale për viktimat e krimeve të urrejtjes
Mes 5 tetorit dhe 30 nëntorit 2023, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka trajnuar gjithsej 142 policë nga komunitete të ndryshme për vlerësimin e nevojave individuale për viktimat e krimeve të urrejtjes.
Ky trajnim erdhi pas një kursi praktik të specializuar të trajnimit të trajnerëve, të ofruar për 12 zyrtarë policorë në muajin maj të vitit 2023, në bashkëpunim me Zyrën për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), mbi teknikat e vlerësimit të nevojave individuale, me fokus tek viktimat e rasteve të krimit të urrejtjes. Si rezultat, grupi i zyrtarëve të sapo-trajnuar, me ndihmën e stafit të Misionit të OSBE-së, e shpërndau trajnimin në të tetë rajonet policore në mbarë Kosovën, me përqendrim tek zyrtarët policorë të caktuar për trajtimin e rasteve të krimit të urrejtjes, krahas detyrave të tjera operative.
Anita Pasha, zyrtarja nacionale e programit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, theksoi natyrën e veçantë të krimeve të urrejtjes dhe ndikimin e tyre të konsiderueshëm te viktimat. Ajo theksoi rëndësinë që zyrtarët ligjzbatues të pajisen me aftësitë për të kuptuar e trajtuar nevojat e veҫanta të viktimave të krimeve të motivuara nga paragjykimi.
Trajnuesit shtjelluan konceptin e krimeve të urrejtjes, kornizën ligjore dhe teknikat e veçanta të vlerësimit të nevojave individuale në rastet e krimeve të urrejtjes, si dhe mbi trajtimin e ndjeshëm dhe me respekt të viktimave për të shmangur viktimizimin dytësor. Pjesëmarrësit u njoftuan po ashtu me elementet thelbësore të procesit të vlerësimit dhe diskutuan zbatimin praktik të pyetësorit që rrjedh nga Udhëzuesi Model i OSBE-së për Vlerësimin e Nevojave Individuale të Viktimave të Krimit të Urrejtjes, me fokus tek llojet e informacionit që mund të sigurohen nga zyrtarët ligj-zbatues mbi nevojat e viktimave. Përveç kësaj, përmes skenarëve të rasteve të përdorura gjatë trajnimit, diskutuan treguesit përkatës të paragjykimit, si dhe identifikimin e ofruesve të shërbimeve për viktimat e krimeve të urrejtjes.
Xhenita Ujkanoviq nga Mitrovica e Veriut tha se njohuritë e fituara gjatë trajnimit do ta ndihmojnë atë për të vlerësuar më mirë dhe për të identifikuar nevojat specifike të viktimave të krimeve të urrejtjes, ndërsa Avdyl Krasniqi nga stacioni policor në Rahovec tha se trajnimi i ka avancuar aftësitë e tij, sidomos në identifikimin e provave që lidhen me krimet e motivuara nga paragjykimi në vendet e ngjarjes.
Për Lulëzim Borovcin, njërin nga trajnuesit e Policisë së Kosovës, këto tetë sesione trajnimi ishin përvojë e shkëlqyeshme për të si trajner, si dhe një mundësi për të marrë shumë informata nga zyrtarët policorë mbi përvojat e tyre reale gjatë punës në rastet e krimeve të urrejtjes dhe me viktima të krimeve të tilla.
Misioni i OSBE-së mbetet i përkushtuar për të mbështetur Policinë e Kosovës në avancimin e kapaciteteve për të mbrojtur dhe siguruar që viktimat e krimeve të urrejtjes të kenë trajtim të respektueshëm gjatë procedurave policore.