Misioni i OSBE-së publikoi Udhëzuesin për raportim nga gjykata për gazetarët në Kosovë
Prishtinë, 21 shtator 2023 – Misioni i OSBE-së publikoi sot një sërë udhëzimesh për raportim nga gjykata, për t’i ndihmuar gazetarët në Kosovë në punën e tyre dhe për të kontribuar në gazetarinë e përgjegjshme dhe të informuar. Udhëzuesi ofron mbështetje gjithëpërfshirëse për gazetarët që mbulojnë sistemin gjyqësor në Kosovë dhe nënvizon konsideratat etike dhe ligjore në raportimin mbi gjyqësorin.
Ky dokument mbulon tri fusha kyçe: raportimin nga gjykata, privatësinë dhe standardet e mbrojtjes, si dhe kuadrin ligjor dhe normativ. Udhëzuesi gjithashtu përfshin informata mbi veprimet që duhet t’i bëni dhe ato që nuk duhet t’i bëni, me theks të veçantë në rëndësinë e standardeve etike, respektimit të privatësinë dhe respektimit të prezumimit të pafajësisë.
“Në çdo shoqëri demokratike, gazetarët që raportojnë për procedurat ligjore kanë detyrim dhe përgjegjësi të ofrojnë informacion të saktë, në të njëjtën kohë duke ruajtur dhe respektuar integritetin e sistemit gjyqësor”, tha ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
“Shpresojmë që këto udhëzime do të kontribuojnë në ruajtjen e lirisë së shprehjes dhe ndarjen e drejtësisë, si brenda ashtu dhe jashtë sallës së gjykimit,” shtoi ai.
Dokumenti kërkon që gazetarët të ushtrojnë kujdes kur raportojnë për të mitur dhe të rritur të cenueshëm, duke siguruar pëlqimin dhe mbrojtur identitetin kur kjo është e nevojshme. Gjithashtu, dokumenti thekson rëndësinë e respektimit të kodit të mirësjelljes dhe vetërregullimit, siç janë Kodi i Etikës për Ofruesit e Shërbimeve Mediale të Komisionit të Pavarur të Mediave, dhe Kodi i Mediave të Shkruara të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës.
Gjatë muajit nëntor, Misioni i OSBE-së do ta shpërndajë udhëzuesin në seminare të ndryshëm të gjykimit të simuluar për studentët e juridikut dhe gazetarisë.
Misioni i OSBE-së ka mbështetur zhvillimin e mediave të lira dhe të pavarura që nga viti 1999, si pjesë e mandatit të tij për të mbështetur mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.
Udhëzuesi është në dispozicion këtu: https://www.osce.org/sq/mission-in-kosovo/553309