Përmbyllet edicioni i 3-të i “Artfest,” mbajtur në Mitrovicën e Jugut me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë
“Artfest”, një festival treditor i artit dhe i të drejtave të njeriut për të rinjtë, i organizuar nga OJQ-ja Hapësina Shoqnore për Dekonstruksion (HSD) dhe i mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, u përmbyll më 30 korrik 2023 në Mitrovicën e Jugut.
Festivali, i mbështetur nga Misioni i OSBE-së për të tretin vit radhazi, mblodhi më shumë se 200 fëmijë dhe të rinj të komuniteteve të ndryshme në rajonin e Mitrovicës.
Gjatë festivalit, fëmijët dhe të rinjtë shprehën vizionin e tyre për një shoqëri gjithëpërfshirëse përmes krijimtarive të tyre me argjilë, vizatime, qepje, pikturim fytyrash dhe duke marrë pjesë në punëtori për ndërtimin e paqes. Gjithashtu, fëmijët dhe të rinjtë morën pjesë në aktivitete muzikore si dhe vizituan ekspozitën në Shoqatën e të Shurdhërve, “Mbishkrimi i Përkujdesit” ("Inscribing Care"), të artistes serbe Dunja Karanoviq.
“Artfest ka bërë bashkë komunitetet e ndryshme përmes artit, të papenguar nga strukturat sociale dhe me bashkëpunime të mirëfillta ndërmjet komuniteteve. Ndonëse organizim formal, ndjesia e krijuar në Artfest është gjithëpërfshirëse dhe që të gjithë, fëmijë, prindër, studentë, gra, burra e të moshuar e kanë gjetur veten si pjesë përbërëse të këtij edicioni”, tha Besart Peci, aktivist i shoqërisë civile dhe një nga pjesëmarrësit.
“Krijimet artistike nxjerrin në pah imagjinatën e fëmijëve dhe kjo është ajo çfarë mund ta arrijmë. Kjo e ka bërë më të bukur qytetin dhe jetën në përgjithësi”, ka shtuar ai.
Me vullnetarë nga e tërë Evropa dhe nga OJQ-të lokale si HSD, Handikos, Bonevet, Community Building Mitrovica dhe Local Peace, festivali ofroi një mundësi unike për dialog dhe shkëmbim ndërmjet komuniteteve.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Promovon në mënyrë aktive qasjen gjithëpërfshirëse për të dëgjuar zërat e të rinjve dhe punon drejt zhvillimit të shkathtësive të të rinjve në fusha të tilla si të drejtat e njeriut, vullnetarizmi, ngritja e vetëbesimit, të menduarit kritik, kohezioni social dhe dialogu.