Misioni i OSBE-së në Kosovë nis edicionin e 5-të të programit për gazetarë të rinj ‘Media Fellowship’
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka nisur sot edicionin e pestë të Programit ‘Media Fellowship’, iniciativë kjo vjetore që synon të zhvillojë kapacitetet e gazetarëve të rinj dhe të krijojë rrjet kolegësh gazetarë nga komunitete të ndryshme.
Tetë gazetarë nga e gjithë Kosova do të vizitojnë organizatat lokale të gazetarëve, transmetuesit publikë, këshillat e mediave të shkruara, si dhe mediat hulumtuese në Prishtinë dhe Beograd. Ata do të mësojnë nga afër për standardet e raportimit profesional, standardet e gazetarisë, raportimin cilësor, edukimin medial dhe informativ, si dhe respektimin e kodeve të etikës.
"Programi ‘Media Fellowship’ i Misionit të OSBE-së mbledh gazetarë të rinj nga komunitete të ndryshme, duke u dhënë atyre mundësi për t'u lidhur me gazetarë dhe ekspertë të njohur, si dhe duke i ndihmuar të zhvillohen në një ambient medial dinamik," tha Ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Në rrugëtim e tyre drejt ngritjes profesionale, këta gazetarë të rinj do të formësojnë diskursin e ardhshëm publik dhe shpresoj se do të mbrojnë lirinë e shtypit dhe qasjen në informata të besueshme,” shtoi ai.
Nisur në vitin 2017, me një ndërprerje dyvjeçare gjatë pandemisë, ‘Media Fellowship’ kultivon talentin e gazetarëve vendor, duke promovuar barazinë gjinore. Ai vazhdon të shërbejë si mundësi për të forcuar marrëdhëniet mes gazetarëve nga komunitete të ndryshme, si dhe njohuritë e tyre për mënyrën se si funksionon media në rajon.
Deri më tani, 38 gazetarë nga komunitete të ndryshme në Kosovë kanë marrë pjesë në program dhe i janë bashkuar të diplomuarve nga programi ‘Media Fellowship’.
Gazetarët e përzgjedhur për programin e këtij viti janë: Shkodrane Dakaj, BIRN; Unitet Berisha, T7; Vlera Shabani, Kallxo.com; Zoran Saviq, KOSSEV; Dushica Stankoviq, Radio Kontakt Plus; Urosh Nikoliq, RTV Mir; Donjeta Zeqiraj, Telegrafi.com; si dhe Armand Hoti, ATV.
“Doja të isha pjesë e Programit ‘Media Fellowship’, sepse mendoj se bashkëpunimi me gazetarë të tjerë në këtë program mund të jetë i dobishëm në shumë mënyra. Mund të shkëmbehen ide, të merren vlerësime për punën si dhe të fitohen njohuri nga këndvështrime të ndryshme. Këto ndërveprime mund të nxisin kreativitetin, të frymëzojnë këndvështrime të reja në storiet tona, si dhe të na ndihmojnë të përsosim aftësitë tona të shkrimit,” tha Shkodrane Dakaj nga BIRN.
“Pritjet e mia nga kjo vizitë vlerësuese në media në Prishtinë dhe Beograd janë që do të kem mundësinë të shoh dhe të vërej se si funksionojnë mediat e mëdha. Ajo që më gëzon veçanërisht është se do të kem mundësinë të ndjek ndoshta program drejtpërdrejt në ndonjë televizion me frekuenca kombëtare. Si gazetare, besoj se kjo përvojë do të ketë shumë domethënie për mua në punën dhe avancimin tim në të ardhmen, sepse do të kem mundësinë të bisedoj me kolegë që kanë shumë vite, madje edhe dekada punë prapa tyre,” tha Dushica Stankoviq, gazetare në Kontakt Plus Radio.
“Të qenit pjesë e këtij programi do të më ndihmojë shumë në punën time të ardhshme. E di që do të takoj njerëz me të cilët do të bashkëpunoj në të ardhmen. E vlerësoj edhe faktin që do të takoj edhe kolegë me të cilët do të ndajmë ide të ndryshme për punën tonë, por edhe përvojat tona,” tha Unitet Berisha nga T7.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni ndihmon në mbrojtjen e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes, si dhe mbështet zhvillimin e mediave.