Misioni i OSBE-së dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi diskutojnë me zyrtarët komunalë në Kosovë rreth balancimit të së drejtës për privatësi me të drejtën për qasje në dokumente publike
Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) përmbyllën serinë e pesë punëtorive rajonale mbajtur për më shumë se 100 zyrtarë komunalë nga komunat anembanë Kosovës me temë balancimi i së drejtës për privatësi dhe qasja në dokumente publike.
Diskutimet u fokusuan në sfidat që kanë të bëjnë me të dhënat personale të përfshira në dokumentet komunale, të cilat rrezikojnë të zbulohen në procesin e sigurimit të qasjes në të dhënat zyrtare. Pjesëmarrësit prezantuan raste konkrete që dalin nga situata të tilla si publikimi i listave të subvencioneve mjekësore komunale dhe qasja në të dhënat e mbledhura përmes kamerave të vëzhgimit të hapësirave publike. Paneli, i përbërë nga ekspertë të AIP-së, trajtoi pyetjet, duke u ofruar zyrtarëve komunalë përgjigje se si të merren me balancimin e të drejtës për privatësi dhe drejtës për qasjes në informacione publike.
Kryetarja e AIP-së, Komisionerja Krenare Sogojeva-Dermaku, tha: “Ekziston një vijë e hollë ndërmjet të drejtës për privatësi dhe qasjes në dokumente publike, e cila nuk është gjithmonë lehtësisht e dallueshme. Prandaj, balancimi i këtyre dy të drejtave është i një rëndësie jetike në vendosjen e standardeve të qarta dhe të sakta, bazuar në praktikat më të mira të zbatimit të këtyre të drejtave.”
Komisionerja Sogojeva-Dermaku ftoi pjesëmarrësit që të promovojnë publikimin proaktiv të informatave zyrtare në ueb-faqet e tyre dhe caktimin e zyrtarëve komunalë për mbrojtjen e të dhënave personale, të cilët ende mungojnë në një numër komunash.
Për të përsosur kuptimin e kësaj detyre të ndjeshme, z. Ali Topalli, zyrtar komunal përgjegjës për qasje në të dhënat zyrtare në komunën e Fushë Kosovës sugjeroi që AIP të shpjegojë balancimin e të drejtës për privatësi dhe qasjen në dokumente publike edhe për palën tjetër në këtë proces, kërkuesin e informacionit: publikun e gjerë, organizatat e shoqërisë civile dhe mediat. “Kjo do t'i ndihmojë ata të kuptojnë të gjithë procesin dhe të përmbahen nga parashtrimi i ankesave në situatat kur iu mohohet qasja në informacione zyrtare për të mbrojtur të dhënat personale të një individi,” tha ai.
Duke përdorur të dhënat e mbledhura nga këto punëtori, Misioni i OSBE-së, në bashkëpunim me AIP-në, do të hartojë ‘Pyetjet e Bëra Shpesh’ (në gjuhën angleze "FAQ") për balancimin e privatësisë dhe qasjes në dokumente publike, të cilat do t'u shërbejnë zyrtarëve komunalë si një mjet udhëzues në situatat që lindin nga raporti konfliktual midis të drejtës për privatësi dhe qasjes në të dhëna.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni mbështet AIP-në në promovimin e të drejtës për privatësi dhe qasje në dokumentet publike dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve publikë, duke garantuar në këtë mënyrë transparencë më të madhe ndaj publikut dhe duke siguruar njëkohësisht që të drejtat e tyre të privatësisë të mos shkelen në këtë proces.