Misioni i OSBE-së, ODIHR trajnojnë Policinë e Kosovës dhe organizatat e shoqërisë civile mbi krimet e urrejtjes
Njëzet e tre policë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile morën pjesë në Trajnimin kundër Krimeve të Urrejtjes për Institucionet Ligjzbatuese (TAHCLE), organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR) nga 14 deri më 16 dhjetor 2022.
TAHCLE është projektuar për të zhvilluar aftësitë e policisë në identifikimin, të kuptuarit dhe hetimin e krimeve të urrejtjes. Ky trajnim plotëson aftësitë e zyrtarëve policorë në parandalim dhe reagim më të mirë ndaj krimeve të urrejtjes, për ndërveprim efektiv me komunitetet viktimë, si dhe ndërton besimin e publikut dhe bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese.
Trajnimi tre-ditor i trajnerëve u fokusua në ndikimin e krimeve të paragjykimit tek komunitetet e prekura, ligjet për krimet e urrejtjes dhe trajtimin dinjitoz të viktimave gjatë të gjitha procedurave ligjore. Tutje, pjesëmarrësit zgjeruan njohuritë e tyre për rolin e policisë, mbështetjen ndaj viktimave dhe regjistrimin e krimeve të tilla, si dhe u pajisën me aftësi trajnimi për të shpërndarë njohuritë tek kolegët e tyre dhe për të vazhduar rritjen e kapaciteteve për reagim më të mirë ndaj krimeve të urrejtjes.
Togeri Bahri Bylykbashi, shef i Njësisë për Koordinim, Administrim dhe Mbështetje të Trajnimeve në Policinë e Kosovës, tha: “Patëm kënaqësinë që ta kemi këtë trajnim për Policinë e Kosovës, si dhe të ngrisim kapacitetet tona në hetimin e veprave me paragjykim apo urrejtje. Si zyrtar policie, është e rëndësishme të trajnojmë kolegët tanë që të shikojnë më thellë gjatë hetimit dhe të identifikojnë nëse ka tregues/motive të paragjykimit. Ndërsa mjedisi i policimit evoluon, stafi ynë duhet të jetë i vetëdijshëm se komuniteti më i mirë është ai i larmishmi dhe duhet të jemi të ndërgjegjshëm për nuancat e këtij diversiteti.”
Duke folur për ndikimin e trajnimit, Rajmonda Sylbije, drejtoreshë e organizatës joqeveritare Qendra për Zhvillimin e Grupeve Sociale (CSGD) tha, “Si një nga pjesëmarrëset e shoqërisë civile, nuk mund të gjej fjalë të them se sa i vlefshëm ishte trajnimi, materialet dhe burimet për mua. Ishte gjithashtu i vlefshëm pasi bëri bashkë zyrtarët e Policisë së Kosovës të rangjeve të ndryshme dhe organizatat e shoqërisë civile. E di që unë si e vetme nuk mund ta ndryshoj botën, por mund të përpiqem të jem agjente e ndryshimeve shoqërore dhe të kem ndikim tek njerëzit një nga një. Trajnimi është një mjet tepër i çmuar për të luftuar dhe trajtuar krimet e urrejtjes dhe incidentet e urrejtjes dhe më ndihmon të bëj ndryshime pozitive brenda komunitetit tim.”
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni mbetet i përkushtuar për të mbështetur institucionet në përmirësimin e regjistrimit, reagimit dhe parandalimit të rasteve të krimeve të urrejtjes.