Përmbyllet edicioni i 8-të i Akademisë së Dialogut të OSBE-së për Gratë e Reja në Mauerbach
Mauerbach, 25 shtator 2022
Akademia e 8-të e Dialogut e OSBE-së për Gratë e Reja, bashkë-organizim i Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Misionit të OSBE-së në Serbi, u përmbyll më 25 shtator në Mauerbach të Austrisë. Në edicionin e sivjetmë të Akademisë morën pjesë njëzet e katër pjesëmarrëse nga Prishtina dhe Beogradi.
Programi intensiv dhjetëditor i zhvillimit të shkathtësive të udhëheqjes u fokusua në ndërtim të besimit dhe rrjetëzimit ndërmjet grave të reja, si dhe në avancim të dialogut dhe shkëmbimeve. Programi kishte synim forcimin e kapaciteteve të pjesëmarrëseve në fusha kyçe të tilla si barazia gjinore, politika, negociatat dhe ndërmjetësimi nëpërmjet diskutimeve frymëzuese me ligjërues dhe të ftuar të shquar, gjë që forcoi më tej procesin e nxënies.
Folësit dhe të ftuarit e edicionit të sivjetmë vinin nga fusha të ndryshme, duke filluar nga politika, shoqëria civile, aktivizmi dhe diplomacia e deri te bizneset dhe mediat nga Prishtina dhe Beogradi, por edhe nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.
Pjesëmarrëset patën mundësinë të shkëmbejnë mendimet me Zëvendëssekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, njëherësh Drejtoreshë e Qendrës për Parandalim të Konflikteve (QPK), Ambasadoren Tuula Yrjölä. Ajo diskutoi me pjesëmarrëset rreth rolit të QPK-së dhe punën që bën kjo qendër në rajonin e OSBE-së, dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes së grave në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fazat e proceseve të ndërmjetësimit dhe dialogut për të siguruar stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë.
Ambasadorja Yrjölä theksoi po ashtu rëndësinë e punës së OSBE-së me dhe për të rinjtë, veçanërisht me gratë e reja, si edhe për krijimin dhe ruajtjen e solidaritetit dhe besimit ndërmjet të gjitha komuniteteve dhe shoqërive për t’i tejkaluar bashkërisht sfidat aktuale dhe të ardhme.
Pjesëmarrëset vizituan edhe Sekretariatin e OSBE-së dhe Hofburgun, ku u takuan me Ambasadorin Igor Djundev, Përfaqësues i Përhershëm i Maqedonisë së Veriut në OSBE, si dhe përfaqësueset e përhershëm të Gjermanisë, Norvegjisë dhe BE-së, për të mësuar rreth prioriteteve, mundësive dhe sfidave të kryesuesit të radhës së OSBE-së dhe për barazinë gjinore e diplomacinë.
“Përvoja ime në Akademinë e Dialogut ishte syhapëse. Pata rastin të mësoja dhe zhvillohesha në shumë mënyra të ndryshme dhe lidha miqësi të përjetshme me gra që më frymëzojnë vërtet”, tha Leontina Gaçiq, pjesëmarrëse nga Beogradi.
Dea Fetiu nga Prishtina ndau përshtypjet e saja nga programi: “Akademia e Dialogut i tejkaloi të gjitha pritjet e mia. Pata mundësinë që të shoqërohem e bisedoj me njerëz fantastikë të cilët do të kenë gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time, dhe mësova shumë nga gratë jashtëzakonisht motivuese që ishin pjesë e Akademisë.”
Gjatë programit, pjesëmarrëset identifikuan ide me interes të përbashkët, që do të formësohen më tej dhe zbatohen nga Rrjeti i të Diplomuarave të Akademisë së Dialogut, rrjet ky që mbështetë rolin e grave të reja në promovimin e ndërtimit të paqes dhe dialogut si në kuadër të të dyja shoqërive ashtu edhe ndërmjet tyre.
Në vazhdimësi të aktiviteteve të Akademisë, pjesëmarrëset do të takohen në muajin nëntor në një vizitë shkëmbimore të të diplomuarave të Akademisë për t’i zhvilluar më tej idetë dhe aktivitetet e tyre në kuadër të Rrjetit të të Diplomuarave të Akademisë së Dialogut që numëron tashmë mbi 180 anëtare.
Akademia organizohet çdo vit nën patronatin e nismës “Follow Us” të grave të shquara nga Beogradi dhe Prishtina. Nisma është mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Misioni i OSBE-së në Serbi që nga viti 2012 në suazat e punës së tyre për të rritur pjesëmarrjen e grave në dialog, zgjidhje të konflikteve dhe procese vendimmarrëse.