Misioni i OSBE-së dhe Zyra për Qeverisje të Mirë lansojnë Strategjinë e re për avancimin e të drejtave të komunitetit rom dhe ashkali në Kosovë
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mbështetur Zyrën për Qeverisje të Mirë në prezantimin e Strategjisë së re për avancimin e të drejtave të komuniteteve rom dhe ashkali më 19 shtator 2022.
Strategjia 2022-2026 fokusohet në pesë fusha prioritare: arsimi, punësimi dhe mirëqenia sociale, shëndetësia, banimi dhe diskriminimi. Kjo strategji ofron mundësi të re për të mbrojtur të drejtat e komuniteteve rom dhe ashkali në Kosovë, si dhe për të siguruar trajtim të barabartë pa diskriminim.
“Kjo Strategji dhe Plani përcjellës i Veprimit 2022-2024 tregojnë përkushtimin e fuqishëm të qeverisë për të përmirësuar jetën e komuniteteve të cenueshme në shoqërinë kosovare”, tha ambasadori Michael Davenport në ceremoninë e prezantimit.
“Strategjia është dokument udhëzues, që do të ndihmojë jo vetëm qeverinë, por edhe komunat, organizatat e shoqërisë civile dhe mediet të luajnë rolin e tyre në avancimin e të drejtave të komuniteteve, luftimin e diskriminimit dhe krijimin e mundësive, veçanërisht për gratë dhe të rinjtë. Të gjithë mund të luajnë rolin e tyre në sigurimin e zbatimit efektiv të saj.”
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka ofruar ekspertizën e saj edhe në procesin e hartimit, duke u fokusuar në komponentin e nivelit lokal të Strategjisë. Misioni ka mbajtur 25 takime me 30 bashkëbisedues të nivelit komunal nga 20 komuna, 10 punëtori rajonale me 22 komuna, me 114 pjesëmarrës në procesin konsultativ, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të nivelit komunal, liderëve të komuniteteve dhe shoqërisë civile.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.