Misioni i OSBE-së trajnon Policinë e Kosovës në mbledhjen e informatave dhe inteligjencës përmes përfshirjes së komunitetit
Misioni i OSBE-së ka përmbyllur një seri punëtorish për të tetë rajonet e Policisë së Kosovës për mënyrat dhe metodat e parandalimit të krimit përmes përfshirjes së komunitetit.
Në punëtoritë e mbajtura në Prishtinë, Gjilan, Gjakovë e Mitrovicë të Jugut nga 1-13 shtator kanë marrë pjesë 120 policë sektori, shumica e tyre njëkohësisht edhe anëtarë të Komiteteve Lokale për Siguri Publike, krahas përfaqësuesve të komunitetit në nivel fshati apo lagjeje.
Këto punëtori kanë pasur për qëllim t’i njoftojnë policët e sektorit me detyrat dhe obligimet e tyre sipas Procedurave Standarde të Operimit të Strategjisë së Integruar të Policimit të Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policimit në Bashkësi, hartimin e të cilave e ka përkrahur Misioni i OSBE-së. Pjesëmarrësit u informuan se si funksionon procesi i mbledhjes së informatave të inteligjencës dhe mënyrat e përpunimit të këtyre informatave të marra nga komuniteti. Ky proces mundëson identifikimin e çështjeve në nivel lokal, si dhe zgjidhjen e tyre në mënyrë më proaktive dhe efektive, duke rritur sigurinë e komunitetit.
“Komitetet Lokale për Siguri Publike ndihmojnë komunitetin që t’i zgjidh problemet e sigurisë përmes bashkëpunimit dhe partneritetit në nivel lokal. Këto forume janë po ashtu edhe një mekanizëm efektiv që ndihmon përpjekjet për të parandaluar problemet para se ato të ndodhin,” tha Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
“Komuniteti gjithashtu duhet t’i njohë policët e sektorit të vet dhe qytetaret duhet të dinë kë të kontaktojnë për shqetësimet e tyre. Andaj i mirëpres përpjekjet e policisë për të fituar besimin e tyre,” shtoi ai.
Pjesëmarrësit patën rastin të shohin shembuj të dosjeve sektoriale, qe shërbejnë si pikë referimi dhe përmbajnë informata rreth personave dhe objekteve te caktuara në një zonë të caktuar, dhe u aftësuan se si të përpilojnë një për sektorin e tyre, duke përfshirë edhe se çfarë informatash duhet të përzgjidhen. Këto dosje përpilohen dhe janë te qasshme në mënyrë elektronike, duke mundësuar kështu komunikim dhe marrje të shpejtë informacioni përderisa ndodh incidenti në nivel lokal, por edhe për të shërbyer pikë qendrore reference.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe sigurinë publike. Misioni punon me të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit për të rritur kapacitetet e tyre në përballje me kërcënimet ndaj sigurisë dhe sigurisë publike nëpërmjet programeve speciale të trajnimit të përshtatura të zhvilluara në bashkëpunim me to.