Misioni i OSBE-së publikon raportin për përfaqësim në mbrojtje dhe sistemin e caktimit sipas detyrës zyrtare në procedurë penale
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka publikuar sot raportin e fundit tematik me titull: “E drejta e përfaqësimit efektiv në procedurë penale dhe sistemi i caktimit sipas detyrës zyrtare”.
Për periudhën 2020-2021, raporti shqyrton standardet e përfaqësimit në mbrojtje dhe funksionin e sistemit të caktimit sipas detyrës zyrtare të avokatit mbrojtës për të pandehurit të cilët nuk mund t’i paguajnë shpenzimet e mbrojtjes.
Raporti jep një pasqyrë të hollësishme të kornizës ligjore dhe të politikave që rregullon sigurimin e përfaqësimit nga avokati mbrojtës dhe bazohet në gjetjet e anketave të realizuara me gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë për vlerësimin e disa prej sfidave dhe pengesave ndaj përfaqësimit të mbrojtjes në procedurë penale në Kosovë.
Misioni i OSBE-së ka avokuar për zhvillimin e sistemit ekzistues të caktimit të mbrojtësve sipas detyrës zyrtare dhe është i kënaqur me gjetjen se sistemi po përfiton nga mbështetja e përgjithshme. Megjithatë, raporti vë në dukje edhe shqetësime në lidhje me standardet e përfaqësimit në mbrojtje dhe thekson se është e rëndësishme që të pandehurit, të cilët nuk kanë mundësi, të kenë përfaqësim efektiv sipas detyrës zyrtare kur këtë e kërkojnë interesat e drejtësisë.
Me rastin e prezantimit të raportit, Ambasadori Michael Davenport, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë deklaroi: “Sigurimi i përfaqësimit ligjor nuk garanton në vetvete të drejtën për mbrojtje efektive. Korniza ligjore, institucionet dhe procedurat e nevojshme duhet të përplotësohen me një kulturë profesionale të mbrojtjes ku standardet respektohen me vendosmëri. Ky raport vë në pah rolin e avokatit mbrojtës dhe rëndësinë e caktimit të avokatëve mbrojtës sipas detyrës zyrtare. Andaj, shpresoj se tani mund ta shfrytëzojmë mundësinë për një reformë më të gjerë gjyqësore në mënyrë që t’i fuqizojmë avokatët mbrojtës në sistemin e drejtësisë penale.”
Raporti jep një sërë rekomandimesh për institucionet kyçe, përfshirë këtu rishikimin gjithëpërfshirës të sistemit ekzistues, ofrimin e udhëzimeve për shpalosjen dhe qasjen në shkresat e lëndëve, si dhe trajnime dhe kualifikime të përmirësuara për avokatët që ushtrojnë mbrojtjen penale, veçanërisht për individë që angazhohen sipas detyrës zyrtare.
Raporti i plotë është në dispozicion në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze në faqen: https://www.osce.org/sq/mission-in-kosovo/523994