Misioni i OSBE-së prezanton dokumentarë për të drejtat e njeriut në festivalin e filmit “DokuFest” në Kosovë
Mbrëmë, Misioni i OSBE-së në Kosovë prezantoi pesë dokumentarë të shkurtër mbi të drejtat e njeriut dhe vlerat demokratike në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest” që mbahet në Prizren.
Dokumentarët janë rezultat i dy kampeve kinematografike të organizuara nga Misioni i OSBE-së dhe “DokuFest” me 20 të reja dhe të rinj nga Novi Pazari, Podgorica dhe Prishtina. Pjesëmarrësit u mentoruan nga regjisorja e vlerësuar me çmime Blerta Zeqiri, regjisori Leart Rama dhe Eroll Bilibani, drejtor i Departamentit të Edukimit “DokuLab” në kuadër të “DokuFest”.
Nëpërmjet një procesi bashkëpunues kinematografik, pjesëmarrësit i prodhuan dokumentarët e tyre mbi sfidat me të cilat përballen pjesëtarë të nënpërfaqësuar të shoqërisë. Secili film sjellë këndvështrime të ndryshme të autorëve mbi temat e shtjelluara, duke filluar nga një vëzhgim eksperimental i një koleksionisti kanaçesh që jeton në varfëri ekstreme e deri te historia e rrugëtimit të një gruaje në zbulim të vetvetes.
“Së bashku me DokuFest, këtë vit kemi mundësuar një forum për të rinjtë që të diskutojnë rreth mundësive të barabarta dhe problemeve të përbashkëta, si dhe u kemi ndihmuar t’i zhvillojnë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të pasur rol aktiv në shoqëri,” tha Ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Duke i fuqizuar dhe ngritur kapacitetet e grupeve të ndryshme nëpërmjet projekteve të këtij lloji, ne synojmë të nxisim krijimin e kontakteve dhe vendosjen e bashkëpunimit ndërmjet të rinjve që vijnë nga shoqëri të ndryshme dhe dëshirojnë të avancojnë dialogun dhe të drejtat e njeriut përmes shembujve të tyre personal.”
Ngjarja ishte vazhdimësi e bashkëpunimit të kahershëm ndërmjet Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe “DokuFest”, ku çdo vit Misioni ka mbështetur organizime me tema si rinia, barazia gjinore, edukimin mediatik dhe të informacionit.
Për më shumë informata rreth “DokuFest”, klikoni në faqen e tyre të internetit: www.dokufest.com