Misioni i OSBE-së mbështetë instrumentet e pjesëmarrjes për avancimin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në Kosovë
PRISHTINË, 30 korrik 2021 - Në konferencën e mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë u konkludua që zhvillimi dhe miratimi i planeve të menaxhimit të trashëgimisë kulturore është instrument i rëndësishëm për rritjen e mbrojtjes dhe ruajtjes së monumenteve të trashëgimisë kulturore.
Planet e menaxhimit të trashëgimisë kulturore kanë për qëllim të mbrojnë trashëgiminë e pasur kulturore në Kosovë, ndërsa gjithashtu lidhin monumentet e trashëgimisë kulturore me zhvillimin e qëndrueshëm. Hartimi e miratimi i këtyre planeve kërkon qasje gjithëpërfshirëse që merr plotësisht parasysh diversitetin kulturor dhe pikëpamjet e të gjithë aktorëve dhe komuniteteve. Kur hartohen në mënyrë pjesëmarrëse, planet e menaxhimit të trashëgimisë kulturore nxisin dialogun dhe mirëkuptimin ndëretnik midis komuniteteve dhe kontribuojnë në ndërtimin e besimit, tolerancës dhe kohezionit shoqëror.
Konferenca e sotme u organizua nga Misioni i OSBE-së në Kosovë së bashku me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe në të u mblodhën një numër i madh ekspertësh nga institucionet qeveritare, shoqëria civile dhe komunat. Diskutimet u përqendruan në standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira në planet e menaxhimit të trashëgimisë kulturore dhe ndihmuan në identifikimin e pikave konkrete që do të ndiqen bashkërisht nga Misioni dhe Ministria për pilot-lokacionet e përzgjedhura në komunat e Prishtinës dhe Pejës.
Kjo ngjarje ishte vazhdimësi e punës së mëhershme të Misionit dhe Ministrisë në hartimin e Udhëzuesit të OSBE-së për Standardet për Hartimin e Planeve të Menaxhimit të Trashëgimisë Kulturore, të publikuar në shtator 2020. Ekspertët vendorë do ta aplikojnë qasjen metodologjike të përcaktuar në këtë udhëzues për hartimin e planeve të menaxhimit të trashëgimisë kulturore për monumentet në Prishtinë dhe Pejë, me mbështetje të Misionit dhe Ministrisë.
“Planet e menaxhimit të trashëgimisë kulturore janë mjet i vlefshëm për avancimin e mbrojtjes, ruajtjes dhe promovimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore. Për ato lokacione që konsiderohen si kyçe për zhvillimin ekonomik dhe turistik, duhet balancuar zhvillimin të tillë me ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe identitetin e komuniteteve. Planet e menaxhimit janë instrumenti i duhur për të arritur këtë bilanc dhe për t’i ruajtur vlerat e trashëgimisë për gjeneratat e ardhshme”, tha Michael Davenport, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë. Gjithashtu, pjesë e fjalës përfundimtare në konferencë ishin edhe Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe komunës së Prishtinës.
Davenport përmendi Planin e Menaxhimit të miratuar së fundmi për Qendrën Historike të Prizrenit me mbështetje të Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe nënvizoi se procesi i hartimit të planit ka pasqyruar parimin e pjesëmarrjes gjithëpërfshirëse dhe konsultime të gjera me të gjithë aktorët relevantë. “Plani i suksesshëm i menaxhimit varet nga qasja e përgjithshme gjithëpërfshirëse: për tu siguruar se është krijuar një instrument që do të zbatohet në tërësi duhet mbajtur konsultime jo vetëm me institucionet dhe ekspertët, por edhe me komunitetet,” tha ai.