Lendrit Qeli: Një tregim i këmbëngulësisë
Kjo është storia e Lendrit Qelit, pjesëtar i komunitetit egjiptian nga komuna e Gjakovës. Storia e tij është pjesë e një serie artikujsh të Misionit të OSBE-së në Kosovë mbi betejat dhe arritjet e individëve të suksesshëm që i përkasin komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë. Misioni i OSBE-së punon me të gjitha komunitetet në Kosovë në mbrojtën, promovimin dhe avancimin e të drejtave të tyre.
Lendrit Qeli (29 vjeçar) është ulur përball nesh në zyrën e tij në katin e parë të ndërtesës së komunës në Rahovec në Kosovën perëndimore gjersa bisedojmë.
Lendriti punon në çështjet që kanë të bëjnë me kthimin e qëndrueshëm dhe riintegrimin e të kthyerve, personave të riatdhesuar dhe personave të zhvendosur. Si Shef i Zyrës Komunale për Komunitete dhe Kthim, e themeluar në vitin 2010, puna e tij është që të promovojë të drejtat dhe interesat e komuniteteve të ndryshme, të gjithë atyre të cilët përpiqen të kthehen në këmbët e tyre dhe ta fillojnë jetën nga e para. Punë të cilën shumëkush do ta konsideronte të vështirë. Por jo edhe Lendriti.
“Unë jam nga të paktët që përkundër shumë pengesave, ia kam dal të punësohem në strukturat komunale. Tani, puna ime është që të jem aktiv dhe që të bëjë ndryshime. Kjo është arsyeja pse jam këtu” - thotë ai.
Lendriti është njëri nga 15 shërbyesit civilë nga komuniteti egjiptian, popullsia e së cilit numëron 11,600. Ligji për shërbimin civil (2010) përcakton se komunitetet joshumicë duhet të kenë së paku 10% të pozitave në nivelin qeveritar; ndërsa në nivel komunal numri i pozitave duhet të jetë në proporcion me përbërjen demografike të secilës komunë.
Aktivizmi në moshë të re
Në moshën 16 vjeçare, Ledriti kishte ambicie për të themeluar një radio dhe program televiziv për komunitetin egjiptian. Pas përpjekjes dhe dështimit për të marr mbështetjen e përfaqësuesve politikë të komunitetit egjiptian të Kosovës, ai i mori gjërat në duart e veta.
“Në vitin 2006, unë themelova OJQ-në Prosperiteti”- thotë ai. “Ideja prapa saj ishte ndërgjegjësimi i rinisë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian për problemet me të cilat përballeshin këto komunitete”.
Lendriti shpjegon se në këtë kohë e kuptoi se sa sfiduese ishte për një aktivist të ri egjiptian t’i drejtohej drejtorëve komunale dhe zyrtarëve për të paraqitur projekt ide. “Mund të mendohet se caktimi i një takimi do të ishte punë e lehtë, por në të vërtetë nuk ishte” - thotë ai. “Këmbëngulësia ime dhe qasja ‘mos u dorëzo asnjëherë’ në fund rezultoi me pozitën e konsulentit në komunën e Gjakovës. Ma merr mendja se ata e panë potencialin tim” - thotë Lendriti.
Rruga drejt pozitës së drejtorit artistik
Angazhimi me komunitetin erdhi në formën e shfaqjeve teatrale në skenën e teatrit komunal të Gjakovës.
“Përkundër ngurrimit fillestar nga stafi i teatrit, aktorët e rinj amatorë nga komuniteti shqiptar, ashkali, egjiptian dhe rom, si dhe anëtarët e OJQ-së Prosperiteti, u bënë bashkë dhe filluan të performonin në skenë, duke e shndërruar atë në një platformë ku mund të paraqiteshin shqetësimet e komuniteteve të tyre” - thotë Lendriti. “Gradualisht, fituam besimin dhe respektin e drejtorisë së kulturës, rinisë dhe sportit, si dhe të drejtorit të teatrit. Ishte ndjenjë e mirë.”
Lendriti shpjegon se procesi nuk ishte i lehtë. “Kur filluam, aktorët nga Prosperiteti punonin në baza vullnetare. U dakorduam që të dhuronim të ardhurat nga projektet për të financuar pagat e punonjësve të teatrit” - thotë ai.
Shumë pak kanë mundur të parashikojnë se vetëm disa vite më vonë, djaloshi i guximshëm 16 vjeçar që trokiste në dyert e zyrtarëve komunalë do të bëhej drejtor artistik i festivalit kulturor ‘Java Egjiptiane’ në Gjakovë që mbahet për çdo vit në qershor.
“Mbase unë isha ai i cili ka besuar më së shumti në potencialin tim. Kjo është ajo çka u them të tjerëve. Beso në vetvete dhe asnjëherë mos u dorëzo” - thotë Lendriti.
Idetë bëhen realitet
Në vitin 2013, karriera e Lendritit po shkonte mirë. Prosperiteti u zgjerua për t’u bërë edhe radio stacioni i parë online i drejtuar nga komuniteti egjiptian në Ballkanin Perëndimor, me Lendritin si drejtor ekzekutiv. Themelimi i radio stacionit u mbështet nga dy organizata italiane dhe komuna e Gjakovës.
Episode nga Radio Prosperiteti transmetohen edhe në programin e televizionit lokal, Syri i Visionit. “Nëse shikoj prapa, jam shumë krenar për atë që e kemi arritur si komunitet” - thotë Lendriti.
“E gjitha kjo nuk do të ishte e mundshme pa zhvillim profesional” - thotë Lendriti. “E kam përfunduar programin për profesionistë të OSBE-së që ka qenë një mundësi e shkëlqyeshme. Ai më ka ndihmuar që të përgatitem dhe që të kem vetëbesim për ta përfaqësuar komunitetin tim në institucionet lokale. Ai më ka ndihmuar që të zgjidhem si përfaqësues i komunitetit në Këshillin Konsultativ për Komunitete në kuadër të Zyrës së Presidentit. Më ka ndihmuar që t’i arrijë qëllimet e mia” - thotë ai.
Ndërgjegjësimi dhe thyerja e stereotipeve
Pa marrë parasysh a është në skenë të teatrit komunal, pas mikrofonit të Radio Prosperiteti apo duke punuar në programin që e drejton Spektri Egjiptian, që transmetohet në RTK 1, Lendriti vazhdimisht e mbështet komunitetin egjiptian dhe të tjerët, në mbarë Kosovën.
“Unë thjeshtë dua t’i tregoj storiet që tregohen rrallë dhe të shpalos problemet që janë të përbashkëta për komunitetet joshumicë në Kosovë” - thotë ai.
Qëndrimi pozitiv i Lendritit dhe vendosmëria e tij shërbejnë për të frymëzuar veprime në çdo përpjekje të tijën, duke ia kujtuar komunitetit egjiptian të Kosovës se ndërgjegjësimi që arrihet me shumë mund është për shkak të njerëzve si Lendriti.
“Thyerja e stereotipeve dhe paragjykimeve fillon me ndryshimin e qëndrimeve të komunitetit nga brenda” - thotë ai.
Para përfundimit të bisedës, Lendriti, që ka kryer studimet baçelor në juridik dhe studimet pasdiplomike në sociologji, edhe një herë e theksoi rëndësinë e arsimimit.
“Pa arsimim nuk mund të shkohet përpara, posaçërisht për komunitet joshumicë, por edhe për çdo komunitet. Arsimimi dhe pak këmbëngulësi janë kryesorët”.