Fitim Krasniqi: Urë drejt suksesit për komunitetet
Kjo është storia e Fitim Krasniqit, pjesëtar i komunitetit ashkali nga komuna e Mitrovicës së Jugut. Storia e tij është pjesë e një serie artikujsh të Misionit të OSBE-së në Kosovë mbi betejat dhe arritjet e individëve të suksesshëm që i përkasin komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë. Misioni i OSBE-së punon me të gjitha komunitetet në Kosovë në mbrojtën, promovimin dhe avancimin e të drejtave të tyre.
“Unë jam thjesht një urë e vogël mes komuniteteve dhe Këshillit Danez për Refugjatë” – e nis bisedën Fitim Krasniqi, të cilin e takuam në zyrën e tij në Mitrovicë të Jugut.
Në vitin 2016, përmes punës së tij Fitimi u bë një pikë kontakti për adresimin e brengave të komuniteteve jo-shumicë, duke përdorur njohuritë dhe përvojën e tij për të dhënë këshilla për çështje me të cilat përballen banorët vendas.
“Detyra ime është të mbështes komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian të Kosovës nga vendbanimet Mëhalla Rome dhe 2 Korriku në Mitrovicë të Jugut, dy vendbanime këto ku varfëria vazhdon të jetë tejet e përhapur” - thotë Fitimi.
Zbulimi i sfidave
Në fillim të viteve 2000, në një përpjekje të bashkërenduar midis institucioneve të Kosovës dhe organizatave ndërkombëtare, nisën të mbylleshin kampet për personat e zhvendosur dhe të ndërtoheshin objekte të reja në Mëhallën Rome, vendbanim ky i banuar historikisht nga romët dhe ashkalinjtë e Kosovës deri në konfliktin e vitit 1999.
Gjendja e tanishme në këto vendbanime, veçanërisht në Mëhallën Rome, është tejet sfiduese. “Vazhdojmë të jemi dëshmitarë të qasjes së dobët në shërbime, niveleve të ulëta të arsimimit, shkallëve të larta të braktisjes së shkollimit, papunësisë dhe margjinalizimit të gjerë, si probleme madhore,” - thotë Fitimi.
Raporti Pasqyrë e Komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian të Kosovës, i botuar në vitin 2020 nga Misioni i OSBE-së, tregon se këto probleme ndikojnë në jetën e banorëve. “Fëmijët e vegjël preken veçanërisht, pasi mundësitë janë të kufizuara për shkak të barrierave të konsiderueshme që mund t'i pengojnë në përmbushjen e plotë të potencialit të tyre”, thotë Dominik Drasnar, Këshilltar i Lartë për Komunitete në Misionin e OSBE-së.
Fitimi bën vlerësime të nevojave dhe evidenton shqetësimet e komuniteteve për t’ua dërguar më pas menaxherëve të projekteve me shpresën që këta të fundit t'i integrojnë nëpër propozim-projekte. “Unë u ofroj ndihmë edhe OJQ-ve lokale që veprojnë në këto vendbanime. Por edhe nga ato mësoj shumë”.
Megjithëse Fitimi është jashtëzakonisht aktiv në terren sot, ai pranon se deri para ca viteve as që kishte dëgjuar ndonjëherë për Mëhallën Rome dhe madje nuk dinte që ekzistonte një e tillë. “Unë dija vetëm për 2 Korrikun, dhe kjo vetëm për shkak se babai im kishte disa kontakte atje, por nuk kisha miq nga ai vend. Kjo gjë ka ndryshuar tani” - thotë ai.
Luftëtar që në moshë të re
Familja e Fitimit është ndër dhjetëra familjet që jetojnë në Shipol, lagje urbane e Mitrovicës së Jugut. “Jam rritur në një lagje të përzier, i rrethuar nga një komunitet i përzier. Jam ekspozuar ndaj larmisë çdo ditë, por për fat të keq, edhe kam qenë pre e ngacmimeve”.
Me buzëqeshje në fytyrën e tij, Fitimi rrëfen se si ca nga fëmijët që më parë e quanin me emra përbuzës sot janë kthyer në miqtë e tij më të mirë. Sidoqoftë, ngacmimet nuk janë e vetmja gjë për të cilën Fitimi dëshiron të flasë. Vështirësitë kanë vërshuar jetën e Fitimit edhe në forma të tjera.
Në thelb të historisë së Fitimit janë sakrificat e shumta që ai, si djalë i ri ashkali, më i madhi i pesë vëllezërve dhe tre motrave, duhej t’i bënte.
“Në shkollë të mesme, unë ndiqja mësimet deri në mesditë dhe pastaj më duhej të nxitoja drejt e në punë deri në orën 7 të mbrëmjes” - rrëfen ai. “Asokohe babai im ishte i sëmurë, kështu që bukën për vëllezërit e motrat dhe prindërit e mi duheshte ta siguroja unë”.
Fitimi nuk ka frikë të pranojë se ka pasur raste kur i kishte shkuar mendja të dorëzohej. “Forcën për të vazhduar e gjeja tek një dëshirë e veçantë që kisha, të studioja inxhinierinë mekanike” - thotë ai.
Pasi mori diplomën e shkollës së mesme teknike, Fitimi u regjistrua në Universitetin e Prishtinës në Departamentin e Komunikacionit dhe Inxhinierisë së Transportit, duke u bërë i pari në familjen e tij që studioi dhe u diplomua në universitet.
“U thosha vëllezërve dhe motrave të mia se jam duke punuar që ata të shkojnë në shkollë” - thotë ai.
Nuk bën të dorëzohesh. Doja të isha krenar me veten time dhe që familja ime të ishte krenare për mua. Doja të jepja shembull të mirë!
Njëra nga motrat e Fitimit ka diplomuar rishtas në ekonomi (si studente e dalluar). Ndërkohë, në nëntor të vitit 2018 Fitimi ka filluar një punë të dytë si zyrtar administrativ dhe i financave për OJQ-në “United Youth Task Force”, të cilën ai e themeloi me një grup të rinjsh.
Model për t’u ndjekur
Fitimi ka qenë gjithmonë i vetëdijshëm për ndikimin që kishte në familjen e tij, por kurrë nuk i kishte vajtur mendja se do bëhej model për të tjerët.
“Nuk e dija se do të kisha fuqi të bindja burra e gra të reja nga Mëhalla Rome që të mos braktisnin shkollimin, dukuri kjo që vazhdon të ndodhë më shpesh seç do duhej në mesin e të rinjve nga radhët e këtyre komuniteteve” - thotë ai. “Ndjehem tejet i privilegjuar dhe i nderuar që jam në gjendje ta bëj një gjë të tillë”.
Sot, sa herë që bashkëmoshatarët e tij e pyesin “Vallë a do të mund t'i arrij edhe unë këto gjëra?” – domethënë një tavolinë pune, zyrë, kontratë - ai ndan me ta historinë e tij, pa lënë mënjanë punën e madhe, lodhjen, sakrificat dhe numrin e vendeve të punës që i është dashur t’i mbajë. “Kur vijnë në zyrën time dhe më kërkojnë një nder, unë ndaj kohën që t’i dëgjoj, t’i udhëzoj e t’i këshilloj. Ngandonjëherë, vetëm kaq mjafton”, thotë ai.
Gjatë gjithë bisedës, Fitimi është çuditërisht joimponues dhe tejet modest mbi atë se sa frymëzues është. Njeriu që kur u ndodh përballë vështirësive, nuk hoqi dorë por, përkundrazi, themeloi OJQ të vet, ndihmoi komunitetin e tij, inkurajoi vëllezërit e motrat dhe të tjerët me një etikë pune të pathyeshme. Ende vazhdon të punojë në më shumë se një vend pune. Megjithatë, ai mbetet modest.
Kur flet për mësimet më të rëndësishme që ka nxënë nga gjitha këto, Fitimi thotë: “Për t'i fuqizuar të tjerët dhe për t’i nxitur të kenë vetëbesim, duhet t'i bëjë të kuptojnë se edhe ata mund t’ia dalin. Asgjë nuk është e pamundur! Vërtet asgjë!”