Ringjallja e trashëgimisë së Letnicës – gjurmët e Nënës Terezë të Kalkutës
Thuhet se në vitet e 1920-ta, një vajzë e re e quajtur Agnesë Gonxhe Bojaxhiu shkoi në pelegrinazh në Letnicë, fshat në juglindje të Kosovës, dhe atje përjetoi thirrjen për t’iu kushtuar jetës fetare. Disa vite më vonë, ajo nisi rrugëtimin e jetës së saj për të ndihmuar të sëmurët dhe të varfrit kudo në botë. Ju mund ta njihni më mirë si Nëna Terezë e Kalkutës.
Në këtë fshat gjendet kisha e bukur katolike e Zonjës së Zezë – një statujë e drurit të nxirë më shumë se 400 vite e vjetër – që ende tërheq pelegrinë nga pjesë të ndryshme, ashtu siç i kishte tërhequr shumë kohë para vizitës së Nënës Terezë. Mijëra njerëz të përkatësive të ndryshme udhëtojnë aty çdo vit në mes të gushtit për të marrë pjesë në rituale tradicionale dhe fetare.
Përveç Kishës, Letnica është edhe vatër e disa monumenteve të trashëgimisë kulturore që, së bashku me natyrën e bukur dhe historinë, e bëjnë atë vend të jashtëzakonshëm. Megjithatë, Letnicës i mungojnë investitorët dhe vizitorët dhe ka rënie të vazhdueshme të numrit të popullsisë. I themeluar para 800 viteve nga ardhësit kroatë, fshati tani është pothuajse i braktisur, ndërsa komuniteti kroat po zvogëlohet dita ditës.
Për ta ndihmuar komunitetin lokal dhe fshatin që të ruajë trashëgiminë, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në bashkëpunim me Fondacionin Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB), organizoi kampe rinore dyjavëshe për restaurim dhe dokumentim si pjesë e portofolit të vet për trashëgimi kulturore dhe dialog ndërfetar. Për të dytin vit radhazi, studentë të arkitekturës dhe të fushave tjera të ndërlidhura u dërguan në fshat për ta përjetuar trashëgiminë kulturore nga afër dhe për të punuar në monumente.
Restaurimi i së vjetrës
Këtë vit, një grup prej 17 studentëve vazhdoi punën aty ku e kishte lënë grupi nga kampi i vitit të kaluar. Ata punuan në monumentin kryesor të trashëgimisë kulturore; mullirin e shekullit të 19-të të Frok Dokiqit, që gjendet në qendër të fshatit, pikërisht poshtë Kishës së Zonjës së Zezë.
Mulliri është ende funksional, ndonëse ekziston nevoja për punë të vazhdueshme të konservimit. Studentët rindërtuan murin e tij të jashtëm duke përdorur teknikat tradicionale dhe larguan shtresën e dëmtuar të tavanit për ta rinovuar me material të veçantë mbrojtës me qëllim që të qëndroj më gjatë.
“Mendojmë se sjellja e studentëve në këto vende është thelbësore për zhvillimin e tyre si profesionistë të rinj dhe promotor e mbrojtës të trashëgimisë kulturore në të ardhmen,” thotë Ylber Veseli nga Misioni i OSBE-së në Kosovë. “Ata i mësojnë teknikat e restaurimit, e shohin vlerën e trashëgimisë kulturore për së afërmi dhe çka do të thotë ajo për banorët lokal dhe se si mund t’i bëjë bashkë komunitetet përmes potencialit të vet ekonomik.”
Nën udhëzimet e ekspertit të CHwB, Nol Binakaj, dhe mjeshtërve Besfort Anaxhela dhe Dukagjin Ibra, studentët përdorën ujë dhe llaç për të vendosur gurët dhe për ta rindërtuar pjesën e murit që mungonte, ashtu siç kishin bërë ndërtuesit e parë.
“Unë gjithmonë kam qenë i interesuar për ruajtjen e gjërave të vjetra,” thotë Granit Kutllovci, derisa zbret nga skelet pas përfundimit të renovimit të një pjese të tavanit. “Ky është shembull se si gjërat janë bërë në të kaluarën, dhe se si mund të bazohemi në to për të bërë gjëra më të mira në të ardhmen.”
Ri-zbulimi i fshatit
Gjersa ata po punonin në Mulli, ekipi i dokumentimit i kaloi ditët duke shëtitur nëpër fshat për t’u takuar dhe biseduar me banorët lokal, duke kërkuar dokumente ekzistuese dhe dokumentacion të trashëgimisë kulturore për të zbuluar çdo hollësi për Letnicën. Të drejtuar nga arkitekti i konservimit, Rand Eppich, synimi i tyre ishte që të përpilonin plan zhvillimor që do të ringjallte fshatin përmes gjallërimit të ofertës së tij të trashëgimisë kulturore.
“Ligjëratat e tij na kanë hapur mendjen,” thotë Gent Paloka, student i arkitekturës, duke mos e fshehur ngazëllimin për udhëzimet e Eppich dhe planin që ata e kanë përpiluar së bashku. Plani i konservimit dhe i zhvillimit përfshin të gjitha aspektet që ekipi i konsideron dobiprurëse për fshatin dhe banorët e tij, përfshirë arsimin, shëndetësinë, ringjalljen ekonomike përmes shtimit të turizmit dhe promovimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore.
“Letnica nuk duhet të mbështetet vetëm në pelegrinazhin e vet të përvitshëm. Ajo duhet të ndërtojë atraksionet e veta turistike gjatë gjithë vitit, duke përdor vendet e trashëgimisë kulturore, përfshirë shtëpitë e vjetra të gurit, si dhe natyrën e mrekullueshme si destinacione turistike. Ringjallja e ekonomisë do t’iu siguronte banorëve lokal vende pune dhe arsye për të qëndruar, duke e parandaluar largimin e tyre,” thotë Paloka.
Sipas ekspertit të CHwB , Binakaj, plani do të përfshijë pozicionimin me GIS të monumenteve të identifikuara të trashëgimisë kulturore në fshat. “Ne po i vendosim themelet e një plani zhvillimor për të ardhmen e Letnicës në bashkëpunim me komunën, për t’iu thënë atyre se ky është vend i çmueshëm,” shtoi ai.
Lënia e gjurmëve
Është në dorë të institucioneve të vendosin nëse duan ta përdorin planin. Sokol Haliti, Kryetar i Komunës së Vitisë ku shtrihet fshati, është zotuar tashmë se do ta përfshij atë në procesin e hartimit të planit të ri zhvillimor komunal. Ndërkohë, studentët kanë lënë gjurmët e tyre, si në monumentet e trashëgimisë kulturore ashtu edhe duke krijuar bazën për një fshat interesant që mund të zhvillohet me qëllim që sa më shumë njerëz të dëgjojnë për të, ta shohin dhe ta përjetojnë.
Ata do të vazhdojnë me studimet e tyre, dhe me përkrahje nga Misioni i OSBE-së dhjetë prej tyre do të vazhdojnë të hulumtojnë vlerat e trashëgimisë kulturore përmes punës praktike tremujore në institucionet kyçe. Ndërkohë, Kisha e Zonjës së Zezë dhe Letnica do të jenë aty për të mirëpritur vizitorë dhe pelegrinë dhe potencialisht për të frymëzuar një tjetër Nënë Terezë.