Lini gazetarët të punojnë: Editorial i Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadorit Jan Braathu, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit
Nuk ka dyshim se sfidat ndaj lirisë së medias vazhdojnë edhe sot në nivel global. Tri prej këtyre sfidave janë veçanërisht të mëdha. Së pari, frika dhe dhuna janë bërë rutinë ditore për gazetarët në mbarë botën. Së dyti, ka gjithnjë e më shumë veprime që mëtojnë të dekurajojnë dhe heshtin mendimet ndryshe. Dhe, së fundi, argumentet koherentet dhe të bazuara në fakte shpeshherë zëvendësohen me etiketime, thirrje emrash dhe diskreditime të gazetarëve. Këto zhvillime bëjnë që gazetarët, teknikisht, të jenë në krye të raportimeve të tyre, por nënshtrohen ndaj presioneve që shërbejnë për të minuar pavarësinë dhe objektivitetin e tyre.
Raporti i fundit i Gazetarëve pa Kufij ka shënuar një rënie të konsiderueshme gjatë vitit të fundit në nivelet globale të lirisë së shtypit. Në kuptim rajonal, Gazetarët pa Kufij ka ngritur shqetësime lidhur me mediat që shpeshherë janë shënjestër e sulmeve verbale, sulmeve kibernetike dhe fushatave shpifëse. Megjithatë, në Kosovë është shënuar përparim, e cila ka lëvizur nga vendi i 90-të (2016) në atë të 75-të (2019) gjatë tri viteve të fundit. Ky është gjithsesi zhvillim inkurajues. Kjo konfirmon peizazhin pluralist mediatik në Kosovë i cili vazhdon të ofrojë opinione kritike dhe të larmishme.
Sfidat
Neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbron të drejtën për të pasur mendime, për t’i shprehur pikëpamjet dhe ndarë informacionin. Shtypi i lirë është thelbësor për të siguruar të drejtën e publikut për të ditur. Publiku kërkon lajme të sakta, objektive dhe të pavarura, tek të cilat mund të kenë besim. Për këtë arsye, standardet profesionale të gazetarisë së bazuar në fakte mbeten thelbi i konsolidimit të një demokracie të qëndrueshme me institucionet transparente dhe llogaridhënie të zyrtarëve publikë. Kjo është shtyllë e një shoqërie pluraliste demokratike. Larmia e opinioneve është baza e shoqërive të lira dhe demokratike.
Gazetarët duhet të bëjnë më shumë se thjeshtë të sjellin storie. Në mënyrë ideale, ata duhet të përpiqen të hulumtojnë dhe mbledhin informata nga numër burimesh, në mënyrë që të ofrojnë kontekst më të thellë dhe kuptim më të thellë të zhvillimeve socio-politike. Ata duhet t’i zbardhin dhe të dokumentojnë veprimet e institucioneve publike dhe zyrtarëve publikë që shpeshherë janë të panjohura për publikun, në mënyrë që të kërkojnë llogari nga këto institucione dhe individët përgjegjës për veprimet e tyre.
• Gazetaria hulumtuese
Gazetarët në Kosovë punojnë zellshëm në ekspozimin e skemave korruptive, duke zbuluar lidhjet politike dhe të biznesit në korridoret e pushtetit dhe duke angazhuar publikun në debatin politik dhe agjendën aktuale sociale. Është inkurajuese t’ju shohim duke kërkuar për më shumë transparencë dhe llogaridhënie duke raportuar parreshtur mbi çështjet me interes publik.
Për fat të keq, disa nga autorët e këtyre raportimeve hulumtuese kanë qenë në shënjestër - disa herë me emër, disa herë me insinuatë - të fushatave të njollosjes, etiketimit si tradhtarë dhe spiunë që ndjekin agjenda të huaja. Disa objekte të mediave janë vandalizuar dhe disa gazetarë janë sulmuar fizikisht, madje edhe në pikë të ditës. Ndonëse këto mund të mos jenë ngjarje të përditshme, akuzat e rreme pengojnë punën e gazetarëve dhe mediave dhe përfundimisht janë të dëmshme për informacionin që publiku i larmishëm kosovar pranon.
Për shkak të raportimit të tyre hulumtues, disa gazetare gra gjithashtu kanë qenë subjekt i kërcënimeve, kanosjeve dhe ngacmimeve, përfshirë anëtarët e tyre të familjes. Ne do të vazhdojmë t’i trajtojmë rreziqet me të cilat përballen gazetaret gra, të vlerësojmë natyrën dhe shpeshtësinë e këtyre llojeve të krimeve dhe të ofrojmë sugjerime për të siguruar një ambient të sigurt pune për gratë në media.
Deklaratat e zyrtarëve publikë që synojnë ndikim mbi gazetarët dhe mediat që të mos publikojnë informacione dhe të eksplorojnë storie me interes jetik publik, janë në kundërshtim me vlerat e OSBE-së dhe parimet e dakorduara. Vendimi i Këshillit Ministror të OSBE-së më 2018 për Sigurinë e Gazetarëve u bën thirrje krerëve politikë dhe zyrtarëve publikë që të përmbahen nga kanosja, frikësimi, ose pranimi i dhunës ndaj gazetarëve. Në përputhje me këtë vendim të OSBE-së, ne vazhdimisht kemi avokuar për siguri dhe mbrojtje të gazetarëve dhe vazhdimisht kemi përcjellë rastet me asociacionet e gazetarëve.
Krahasuar me 28 veprat kundër gazetarëve që kanë ndodhur në vitin 2017, në vitin 2018 është vërejtur një rënie e ndjeshme, me 16 raste të raportuara. Ky trend duket se do të vazhdojë më 2019, me pesë raste të kërcënimeve dhe kanosjes kundër gazetarëve të regjistruara deri më tani. Ky është trend pozitiv dhe përgëzojmë të gjithë ata - institucionet, mediat dhe publikun - që kanë kontribuar në këtë drejtim. Kur ushtrohet presion, reagimet e shpejta të asociacioneve të gazetarëve dëshmojnë solidaritet gjithnjë më të madh midis gazetarëve. Ky solidaritet është faktor i rëndësishëm në luftimin e kërcënimeve dhe kanosjeve që përfundimisht prekin të gjithë gazetarët.
• Pandëshkueshmëria, gazetarët e zhdukur dhe të vrarë
Që nga fillimi, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka punuar pa pushim për të promovuar lirinë e medias dhe për të mbështetur zhvillimin e medias si një instrument thelbësor për një shoqëri të lirë dhe të hapur dhe një sistem qeverisës të përgjegjshëm. Siç është theksuar në vendimin e cekur të Këshillit Ministror të OSBE-së më 2018 (mbi Sigurinë e Gazetarëve), qeverive u bëhet thirrje të marrin masa efektive për t'i dhënë fund mosndëshkimit për krimet e kryera kundër gazetarëve, duke siguruar llogaridhënie si element kyç në parandalimin e sulmeve të ardhshme, përfshirë duke siguruar se agjencitë e zbatimit të ligjit kryejnë hetime të shpejta, efektive dhe të paanshme të rasteve të dhunës dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, për t’i sjellë të gjithë përgjegjësit para drejtësisë dhe për të siguruar se viktimat kanë qasje në mjetet adekuate juridike.
Ne inkurajojmë dhe lehtësojmë bashkëpunimin midis Asociacioneve të Gazetarëve dhe Institucioneve të Sundimit të Ligjit për zgjidhje më të shpejta të rasteve të pazgjidhura që përfshijnë gazetarët. Gazetarët duhet të jenë në gjendje të mbështeten në efikasitetin e institucioneve të zbatimit të ligjit për të kryer punën e tyre me përgjegjësi dhe pa frikë dhe kërcënime.
Në shënimin e 3 majit, gjithashtu kujtojmë 15 kolegët tonë të vrarë apo rrëmbyer në periudhën nga 1998 deri 2005 në Kosovë. Është me rëndësi të madhe që t’i diskutojmë rastet e zgjidhura dhe të pazgjidhura të krimeve të kaluara kundër gazetarëve, në mënyrë që familjet të gjejnë qetësi dhe që autorët e veprave të tilla të marrin aktgjykime dhe dënime. Ne kemi marrë përsipër sfidën e lehtësimit të një procesi për të zbardhur fatin e këtyre gazetarëve duke angazhuar familjet e viktimave, duke mbështetur nismat që nxisin tutje diskursin publik mbi këtë temë dhe duke ngritur vetëdijesimin e institucioneve publike dhe sundimit të ligjit mbi rëndësinë e përfundimit të mosndëshkimit. Natyrisht, gazetarët luajnë një rol të rëndësishëm dhe ne mbështesim fuqimisht ata gazetarë të cilët janë angazhuar në zbardhjen e këtyre rasteve. Ky diskutim dërgon një mesazh të fuqishëm dhe paekuivok që siguria, liria dhe mbrojtja e medias janë ideale që duhet respektuar.
Një arritje e rëndësishme në këtë drejtim u realizua në qershor të vitit 2018, kur Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) miratoi një rezolutë të propozuar bashkërisht nga shoqatat e gazetarëve të Prishtinës dhe Beogradit, duke kërkuar zgjidhjen e rasteve të gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur nga periudha 1998-2005 . Rezoluta gjithashtu kërkon ngritjen e një komisioni i cili do të përfshinte, ndër të tjera, edhe gazetarët, për hetimin e këtyre rasteve.
• Kushtet e punës
Rreziqet me të cilat përballen gazetarët gjatë raportimit kanë ndikim në lirinë e medias. Problemi është edhe më i madh kur këto rreziqe vijnë nga vetë mediumet. Siç është theksuar në botimin e vitit 2018 të raportit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës mbi Treguesit për Nivelin e Lirisë së Medias dhe Sigurinë e Gazetarëve, gazetarët vazhdojnë të punojnë në kushte të këqija të punës me kompensim mjaft të dobët. Në këtë drejtim, përgëzojmë guximin e gazetarëve që kanë raportuar shkeljet e të drejtave të punës në vendet e punës në media. Ne bëjmë thirrje për ndërgjegjësim më të mirë mbi kushtet e punës. Rregulloret e punës në Kosovë duhet të zbatohen plotësisht edhe për mediumet. Një arritje e ndjeshme në këtë drejtim ishte nënshkrimi i Kartës së EFJ për Kushtet e Punës së Gazetarëve e cila bën thirrje për përmirësim të kushteve të punës dhe fuqizim të të drejtave të punës së gazetarëve dhe punonjësve të mediave në Evropë, duke luftuar kundër censurës dhe promovimin e qasjes së lirë në informata dhe burime.
• Qëndrueshmëria financiare dhe vetëcensura
Për sa i përket financave, shumica e mediumeve nuk kanë financim të stabil dhe të qëndrueshëm. Çështja e financimit është akute për mediat e pavarura lokale të cilat në veçanti kanë shpesh mungesë të investimeve të duhura financiare dhe mundësive për avancim profesional për gazetarët e tyre. Mediumet gjithashtu përballen me presione që i detyrojnë ato të kalojnë nga shtypi në internet, të reduktojnë stafin gazetaresk dhe angazhimin e tyre në gazetari hulumtuese. Ne shohim se këto presione financiare kanë ndikim në cilësinë e gazetarisë: Modeli i “gazetarisë” copy-paste nuk është i favorshëm për të mbështetur informimin e publikut të gjerë.
Në afat të gjatë, mediat e qëndrueshme dhe të pavarura nuk mund të mbështeten në grante për projekte, si për shembull nga donatorët ndërkombëtarë. Gjersa grantet e tilla kanë qenë të rëndësishme në themelimin e mediumeve, përfshirë ato të komuniteteve joshumicë, këto mediume duhet të arrijnë zbatueshmëri komerciale për qëndrueshmërinë e tyre afatgjate.
Në të njëjtën kohë, mungesa e transparencës së pronësisë dhe financimit të qëndrueshëm nxisin marrëdhënie klandestine midis mediave, biznesit dhe politikës. Ky mjedis në mënyrë të pashmangshme ndikon në objektivitetin e medias dhe pavarësisë editoriale dhe kontribuon në minimin e besimit të publikut. Mediat duhet gjithashtu t’i rezistojnë presioneve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta që rezultojnë në vetëcensurë.
Përfundim
Duhet të punojmë së bashku për të zgjeruar më tej sigurinë e mjedisit të punës për gazetarët, ku ndjehen të lirë të publikojnë çdo informatë të verifikuar dhe me fakte të kontrolluara. Ky mjedis nuk duhet të kërkojë komprometim të sigurisë dhe mirëqenies së gazetarit në shkëmbim të ofrimit të informacionit të saktë dhe objektiv.
Më lejoni të përfundoj duke ritheksuar rëndësinë e sjelljes së kryerësve të krimeve ndaj gazetarëve para drejtësisë. Duke vlerësuar arritjet e viteve të fundit, bëjmë thirrje për një zbatim më efektiv të kuadrit ligjor në fuqi për mbrojtjen e gazetarëve, në pajtim me vlerat e OSBE-së. Kjo përgjegjësi qëndron mbi të gjithë ne: asociacionet e gazetarëve, agjencitë e zbatimit të ligjit, prokurorinë, gjyqësorin, organizatat ndërkombëtare dhe publikun e përgjithshëm.
Sot, uroj të gjithë gazetarët e guximshëm dhe nderoj rolin e medias së lirë dhe të pavarur në konsolidimin e një demokracie të qëndrueshme dhe shoqërie të hapur dhe transparente në Kosovë.