Misioni i OSBE-së në Kosovë organizon kurse të gjuhëve për të rinj
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka nisur kurse tremujore të gjuhës shqipe dhe serbe për të rinj shqiptar, serb, boshnjak dhe romë nga komuna e Obiliqit. Kurset kanë filluar në mars dhe do të vazhdojnë deri në qershor 2019.
20 të rinj serbë, boshnjakë dhe romë ndoqën orën e parë të mësimit të gjuhës shqipe më 18 mars në fshatin Plemetin, ndërsa grupi prej 11 shqiptarëve nisën kursin e gjuhës serbe më 21 mars. Kurset po e ndjekin edhe Nënkryetari i Komunës për Komunitete, Kryesuesi i Komitetit për Komunitete, Drejtori i Qendrës Rinore dhe Kryetari i Këshillit të Veprimit Rinor Lokal të Obiliqit.
Për tre muaj, kursistët do të kenë mundësinë e rrallë për t'u njohur me gjuhën e moshatarëve të tyre nga komunitetet tjera. Meqë aktivitetet e tilla ende nuk janë pjesë e sistemit formal të arsimit, mësimi jashtëkurrikular i gjuhëve ndihmon të rinjtë e komuniteteve të ndryshme të marrin njohuri bazë për gjuhën e njëri-tjetrit, duke mundësuar kështu komunikim më të lehtë dhe kapërcim të barrierave gjuhësore.
“Jam shumë i kënaqur me këtë nismë, sidomos pasi që shumë të rinj kanë treguar interesim për të mësuar gjuhën e njëri-tjetrit", tha Nënkryetari i Komunës për Komunitete në Obiliq, Slavisha Jakovljeviq, duke shtuar se megjithëse flet pjesërisht gjuhën shqipe, ka vendosur të marrë pjesë për t’i nxitur të tjerët që të ndjekin kurset.
Nisma është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Misionit të OSBE-së për të promovuar dhe përforcuar marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, dialogun dhe tolerancën. Për më tepër, aktiviteti është rezultat i Deklaratës Ndër-Komunale të nënshkruar në vitin 2016, ku komunat e Prishtinës, Graçanicës, Shtimes, Lipjanit, Fushë Kosovës dhe Obiliqit u zotuan që të rrisin bashkëpunimin e tyre në çështjet ndërmjet komuniteteve, veçanërisht ndërmjet të rinjve.