Misioni i OSBE-së fillon serinë e emisioneve për edukimin mediatik dhe informimin
Misioni i OSBE-së, në bashkëpunim me Këshillin e Mediave të Shkruara dhe Radio-Televizionin e Kosovës, fillon këtë mbrëmje një seri prej tetë programesh televizive për edukimin mediatik dhe informimin, të quajtur “EduMedia”.
Qëllimi i emisioneve, që kombinon debate në studio, intervista dhe reportazhe, është të informojë publikun e gjerë për rëndësinë e edukimit mediatik dhe informimit, si dhe të diskutojë nevojat dhe sfidat për promovimin e mëtutjeshëm, duke përfshirë edhe futjen e tij në sistemin formal të arsimit dhe në nivelin bazë në Kosovë.
Moderuar nga Imer Mushkolaj, Kryetari i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, debatet do të përfshijnë ekspertë të mediave, profesorë universitarë si dhe përfaqësues institucionesh, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare. Ata do të diskutojnë sfidat që publiku i ka në lidhje me mediat, siç është identifikimi i dezinformatave dhe lajmeve të rreme, si dhe domosdoshmërinë e zhvillimit të mëtutjeshëm të mendimit kritik dhe analizës për dekonstruktimin e përmbajtjeve mediale.
“Përmes kësaj serie emisionesh, mëtojmë të informojmë publikun që edukimi mediatik dhe informimi nuk ka të bëjë vetëm me zhvillimin e shkathtësisë së të menduarit kritik, por edhe me pajisjen me njohuri për të vlerësuar, analizuar e dekonstruktuar mesazhet e ndërlikuara mediale në internet dhe jashtë tij”, tha Dane Koruga, Shef i Seksionit të Mediave në Misionin e OSBE-së në Kosovë. “Publiku i mirë-informuar është më mirë i përgatitur për t’u përballur me lajmet e rreme, një fenomen global në rritje”.
Kjo iniciativë është pjesë e përpjekjeve të gjera nga ana e Misionit për të promovuar edukimin mediatik dhe informimin. Që prej vitit 2016, Misioni ka mbajtur prezantime për përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, institucionet mediatike dhe asociacionet e gazetarëve, si dhe trajnime për mësimdhënës e prezantime për nxënës, prindër e mësimdhënës më 2017.
Për më tepër, Misioni i OSBE-së planifikon të zgjerojë fushëveprimin e aktiviteteve të tij, duke punuar edhe me universitetet publike e kolegjet private në promovim dhe mbajtje të kurseve praktike për edukimin mediatik dhe informimin për studentë e mësimdhënës universitarë.
Programi i parë transmetohet në RTK 1 sonte në ora 20:10. Debati do të titrohet edhe në gjuhën serbe dhe të transmetohet në RTK 2 me 3 qershor 2018 në ora 20:00. Debatet tjera do të bëhen në baza mujore.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni ndihmon në mbrojtjen e lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes, si dhe mbështet zhvillimin e mediave.