Misioni i OSBE-së në Kosovë lehtëson finalizimin e projektligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të tokës komunale
Punëtoria triditore e organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, në përkrahje të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për finalizimin e projektligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, u përmbyll më 22 prill 2018, në Tiranë, Shqipëri.
Pjesëmarrësit, duke përfshirë Ministrin e MAPL-së, Z. Ivan Todosijeviq dhe Sekretaren e Përgjithshme të MAPL-së, Znj. Rozafa Ukimeraj, si dhe zyrtarë të tjerë përgjegjës, adresuan dhe shqyrtuan të gjitha komentet e dhëna gjatë procesit të konsultimeve nga palët e prekura dhe me interes.
“Ky ligj është i rëndësishëm për komunat e Kosovës, pasi që do të ndikojë në zhvillimin ekonomik dhe prekë drejtpërdrejtë banorët dhe komunitetet, dhe duhet të ketë dispozita të posaçme për të drejtat e personave të zhvendosur dhe bashkësitë fetare”, tha Barbara Rohmann, Drejtoreshë e Departamentit për të Drejta të Njeriut dhe Komunitete në Misionin e OSBE-së në Kosovë.
“Unë besoj që komentet e dhëna janë të çmueshme dhe do ta përafrojnë ligjin me praktikat më të mira të qeverisjes lokale dhe me standardet ndërkombëtare, si dhe shpresojmë ta shohim finalizimin e tij sa më shpejt”, Rohmann tha.
Disa prej çështjeve kryesore të diskutuara gjatë punëtorisë qenë kompetencat e nivelit qendror dhe obligimet e komunave, përkufizimi i interesit publik, përfaqësimi gjinor dhe i komuniteteve, të drejtat e shoqërisë civile, si dhe përcaktimi i bashkësive fetare dhe personave të zhvendosur si kategori specifike në procesin e dhënies së tokës komunale.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, si dhe demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Me miratimin e Ligjit nga Kuvendi i Kosovës, Misioni do të monitorojë zbatimin e tij, për të siguruar se respektohen të drejtat e komuniteteve, posaçërisht ato të personave të zhvendosur dhe bashkësive fetaren.