Misioni i OSBE-së inkurajon të rinjtë rom, ashkali dhe egjiptas të bëhen pjesë e policisë
Është përmbyllur sot në Vushtrri punëtoria treditore orientuese për 60 të rinj rom, ashkali dhe egjiptas e organizuar nga Misioni i OSBE-së, Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhe Policia e Kosovës që ka pasur për qëllim njoftimin e tyre me punën e policisë dhe përfitimet e të qenit pjesë e policisë.
Punëtoria i paraprin shpalljes së konkursit për oficerë të rinj që pritet muajt e ardhshëm dhe ka pasur për synim inkurajimin e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve t’i bashkohen policisë. Pjesëmarrësit (18-30 vjeç) mësuan për kriteret e përzgjedhjes për t’u bërë oficer policie; për testet që duhet t’iu nënshtrohen si testi me shkrim, fizik e psikologjik; dhe morën pjesë në intervista të simuluara për punë.
“Përkundër mekanizmave të ndryshëm për promovim të mundësive të barabarta në legjislacionin e policisë, përfshirja e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve mbetet sfidë,” tha Shpresa Muharremi nga Misioni i OSBE-së. “Ne duam të shohim më shumë pjesëtarë të komuniteteve në uniforma të policisë, pasi që kjo do ta bënte policinë një forcë më diverse dhe do ta rriste besimimin e komunitetit në polici”.
Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit u njohën edhe me ligjin për policinë, trajnimin dhe kurrikulën bazë, policimin në komunitet, parimet kryesore të policimit demokratik dhe rregulloret e brendshme administrative.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.