Komunitete më të sigurta me dialog ndërfetar
Përvojat personale të diversitetit kulturor dhe fetar janë thelbësore për ndërtimin e respektit të ndërsjellë - një parakusht kyç ky në rrugëtimin drejt komuniteteve më të sigurta dhe më të qëndrueshme. Për të trasuar rrugën drejt arritjes së këtij qëllimi, Misioni i OSBE-së në Kosovë mblodhi së bashku të rinj me prejardhje të ndryshme për të marrë përgjigje në lidhje me besimin dhe ngjashmëritë e njëri-tjetrit.
Rreth 50 nxënës shqiptarë të shkollave të mesme të Kaçanikut erdhën në Prizren për të vizituar objektet kryesore fetare në pjesën historike të qytetit dhe së bashku me një grup prej 25 të rinjve nga komunitete etnike të ndryshme në Prizren u bënë pjesë e një debati me përfaqësues të Bashkësisë Islame, Kishës Ortodokse Serbe, Kishës Katolike, sufistëve halveti, komunitetit hebraik dhe Kishës Protestante, si dhe zëvendësministres së kulturës, rinisë dhe sporteve dhe shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Kaçaniku konsiderohet si një nga vatrat e luftëtarëve të huaj nga Kosova. Kjo vizitë ishte një nga aktivitetet e shumta që Misioni i OSBE-së në Kosovë ndërmerr për të ndërtuar komunitete më të sigurta dhe për të parandaluar ekstremizmin dhe radikalizmin e dhunshëm që shpie në terrorizëm.
Ndërtimi i mirëbesimit në nivel komuniteti
Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve nga Kaçaniku kurrë nuk kishin vizituar objekt tjetër kulti përveç xhamive, ose takuar udhëheqës tjetër fetar përpos të tyrin. Kjo bisedë u dha mundësi për të mësuar më shumë për fqinjët e tyre dhe njerëzit në komunitetet e tyre.
Ne po ua mundësojmë të dëgjojnë atë që po thonë përfaqësuesit e bashkësisë së tyre fetare. Po ua japim rastin që të angazhohen, t’u shtrojnë pyetje jo vetëm përfaqësuesve të tyre fetarë, por edhe përfaqësuesve tjerë.
Jan Braathu Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë
Promovimi i dialogut ndërfetar, tolerancës dhe respektit të ndërsjellë është një nga fushat kyçe të punës së Misionit të OSBE-së në Kosovë, i cili është fokusuar në ndërtimin e kapaciteteve të rinjve për të ndihmuar në të kuptuarit më të mirë të trashëgimisë kulturore dhe fetare në vend. Kjo përfshinë aktivitete të larmishme si vizita studimore në një numër të vendeve historike dhe fetare me pjesëmarrje të rreth 500 nxënësve të shkollës së mesme, kampin ndërfetar të të rinjve në komunën e Dragashit apo turneun e juniorëve në basketboll.
Fushata e OSBE-së Të bashkuar në Përballje me Ekstremizmin e Dhunshëm (#UnitedCVE)
Stereotipat dhe paragjykimet shpesh krijojnë ndarje në komunitet. Për të parandaluar këtë kërcënim, fushata e OSBE-së #UnitedCVE promovon vlerat e tolerancës, përfshirjes, solidaritetit dhe diversitetit, duke inkurajuar të rinjtë për tu angazhuar online dhe offline, për të filluar biseda dhe marrë qëndrime kundër urrejtjes dhe jotolerancës që e ushqejnë dhunën.