Fuqizimi i grave ndërmarrëse të Kosovës
Valbona Salihu ngjitet përpjetë kodrës së fshatit të saj Syriganë dhe hap krahët për një përshëndetje të ngrohtë. Në kodër ajo takon myshterinjtë e saj dhe i drejton kah shtëpia përbri ku jeton me burrin dhe tre fëmijët dhe nga ku e drejton biznesin e saj familjar.
Fshati i saj shtrihet në veri-perëndim të komunës së Skënderajt, banorët e së cilës, shqiptarë dhe serbë të Kosovës, e fitojnë bukën e tyre kryesisht nga bujqësia dhe blegtoria, ashtu si shumica e banorëve në fshatra. Mirëpo, paratë e fituara nga bujqësia dhe blegtoria mezi mbulonin nevojat elementare të familjes së Valbonës, kështu që ajo nisi të mirret me bletë për të fituar më shumë.
“Mu desh të bëja diçka, andaj iu bashkova një OJQ-je që i ndihmon gratë. Në 2009 i fitova dy koshere me bletë si donacion. E vijova çdo kurs trajnimi që munda për të mësuar si të punoj me to, dhe e gjithë kjo mu shpagua”, buzëqesh ajo.
Valbona tash ka tetë koshere dhe fiton të hyra për tërë familjen.
Ndërtimi i shkathtësive dhe rrjeteve
Për t’i ndihmuar Valbonës dhe grave tjera si ajo në përmirësimin e shkathtësive të tyre menaxhuese dhe për të zhvilluar biznesin e tyre, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka organizuar një seri trajnimesh në qershor 2017 për menaxhim biznesi, brendim dhe hartim të planeve të biznesit. Këto trajnime u ndoqën nga rreth 40 gra ndërmarrëse nga komunitete të ndryshme të rajonit të Mitrovicës dhe Pejës. Sipas Valbonës, trajnimet ishin shumë të dobishme dhe i kanë ndihmuar ta ndërlidh përvojën e saj praktike me njohuri profesionale.
“Shumica e këtyre grave i kanë filluar bizneset e tyre nga zeroja dhe kanë përparuar shumë që atëherë, kryesisht vetëm apo me pak mbështetje nga familjet e tyre e organizatat e shoqërisë civile. Ato deshën të zhvillohen më shumë, andaj na kontaktuan dhe na pyetën nëse mund t’iu ndihmojmë me trajnime specifike, dhe ne me kënaqësi pranuam,” thotë Oliver Schuett nga Misioni i OSBE-së në Kosovë.
Misioni ka organizuar edhe një panair për këto gra më 13 dhe 14 korrik 2017 në Prishtinë. “Menduam që nëse ju japim shansin që të vijnë në kryeqytet për t’i ekspozuar produktet e tyre, kjo do t’iu mundësonte që ta shohin potencialin e tregut më të gjerë, të krijojnë kontakte dhe ndoshta edhe të marrin këshilla të dobishme nga njëra-tjetra,” tha Schuett. “Të dy ngjarjet ishin mundësi e shkëlqyeshme për të rritur bashkëpunimin dhe dialogun ndëretnik si dhe rrjetëzimin e grave ndërmarrëse,” shton ai.
Pozita e vështirë e grave
Një nga temat e mbuluara në trajnim ishte edhe e drejta e grave në pronë. Schuett tha që është vendosur për këtë temë pasi shifrat për gratë që posedojnë pronë janë “vërtetë dëshpëruese”. Sipas profilit gjinor për Kosovën të Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar publikuar në vitin 2014, vetëm 8% e pronës është në emër të grave, gjë që e bën të vështirë fillimin e biznesit apo marrjen e huasë për to.
Pozita e grave nuk është më e mirë as në fushat tjera. Sipas profilit gjinor, gratë përbëjnë vetëm 18% të tregut formal të punës dhe janë pronare të më pak se 10% të të gjitha bizneseve të regjistruara.
“Të jesh grua ndërmarrëse në Kosovë, pavarësisht se a je në veri apo në jug, është vështirë. Kërkon shumë durim, punë dhe përpjekje për ta filluar një biznis,” thotë Liljana Drazheviq, pronare e një dyqani të punimeve me vek në Mitrovicën e Veriut, e cila gjithashtu ka marrë pjesë në trajnimin e Misionit dhe panair.
Ajo tha që trajnimi i OSBE-së i ka rritur njohuritë e saj për marketingun. “Ngjarja ishte mundësi e shkëlqyeshme për të shkëmbyer pikëpamjet për atë se si të përfshihen më shumë gra në ndërmarrësi dhe të krijohen kontakte edhe ndërmjet grupeve të ndryshme etnike, përkundër pengesave gjuhësore,” thotë ajo.
Valbona dhe Liljana janë të dyja të kënaqura që e kanë pasur mundësinë për të komunikuar me gratë ndërmarrëse. “Ishte mundësi e mirë për rrjetëzim,” thotë Valbona, derisa Liljana shton, “e prezantuam vetën, punën tonë dhe identitetin tonë përmes produkteve tona.”
“Mesazhi im për të gjitha gratë që dëshirojnë të bëhen ndërmarrëse është që ta kenë synimin e tyre dhe ta ndjekin atë me vendosmëri. Me punë të ndershme, ide të mira të biznesit dhe përkushtim ato mund t’ia dalin. E di sa është e vështirë që të nisësh nga zeroja, por ia vlen të luftosh,” përfundon Liljana.
Valbona planifikon që ta vazhdojë punën e saj të zellshme dhe thotë që tani nuk mund ta paramendojë vetën pa bletët e saj. “Mund të jesh në gjendje shumë të keqe, mirëpo kur të punosh me to dhe kur ta dëgjosh tërë atë zukamë, ndjehesh për mrekulli.”
Misioni i OSBE-së në Kosovë do të vazhdoj ta inkurajoj fuqizimin e grave përmes dialogut ndër- komunitar ndërmjet grave ndërmarrëse në Kosovë. Duke u bazuar në suksesin e panairit të këtij viti, do të organizoj një panair tjetër në vitin 2018, në shkallë më të gjerë dhe me më shumë ndërmarrëse.