Në Austri përfundon edicioni i tretë i Akademisë së dialogut të OSBE-së për gratë e reja
Edicioni i tretë i Akademisë së dialogut të OSBE-së për gratë e reja nga Prishtina dhe Beogradi përfundoi më 15 tetor 2017 në Stadtschlaining, Austri. Kjo akademi dhjetëditore u organizua si pjesë e Iniciativës Na Ndiqni, e mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Misioni i OSBE-së në Serbi që nga viti 2012, si pjesë e punës së tyre për të rritur pjesëmarrjen e grave në dialog dhe proceset e zgjidhjes së konflikteve si dhe në vendimmarrje.
24 gra morën pjesë në aktivitete të punës në ekipe, lojës së roleve të negocimit, ligjërata lidhur me çështjet gjinore dhe diskutime me gjashtë deputete nga Iniciativa Na Ndiqni. Ato gjithashtu vizituan mbledhjen e Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë dhe informuan Kryesinë Austriake mbi aktivitetet e mëparshme të Akademisë dhe planet e tyre për veprimet e ardhshme të përbashkëta.
Mbështetur në iniciativën Karavani i Dialogut të organizuar në korrik 2017, pjesëmarrëset e këtij viti zhvilluan një projekt të përbashkët të quajtur “Karavani i Mbështetjes” për gratë rurale në të dy shoqëritë, që do të përfshijë vizita shkëmbimi për gratë sipërmarrëse, një panair tregtar, një dokumentar të shkurtër mbi peripecitë e grave rurale, si dhe një fushatë mediale.
Përveç kësaj, gratë pjesëmarrëse në të tri edicionet e Akademisë së Dialogut në vitet 2015, 2016 dhe 2017 do të zhvillojnë një projekt-propozim të përbashkët për donatorët potencialë me qëllim të krijimit të një OJQ-je që do të punojë në dialog dhe çështjet e fuqizimit të grave.
Pjesëmarrësja Rina Hajdari theksoi se projektet si Akademia e Dialogut për të Gratë e Reja kanë ndikim të jashtëzakonshëm tek vajzat. “Ne, vajzat nga Prishtina dhe mikeshat tona nga Beogradi, nuk kemi shumë mundësi sikur kjo, për të debatuar mbi të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me dy shoqëritë tona, të cilat konsiderohen tabu. Ne luftuam kundër njëra-tjetrës gati dy dekada më parë. Tani ka ardhur koha që të mbizotërojnë paqja dhe bashkëpunimi, të përdorim historinë si mjet, të bisedojmë me njëra-tjetrën rreth bashkëpunimit të grave dhe të krijojmë bashkëveprim të rregullt”, shtoi ajo.
“Akademia e Dialogut e OSBE-së bën më shumë se vetëm fuqizimin e grave të reja çdo vit. Ajo na pajis me aftësi konkrete të nevojshme për të bërë ndryshime thelbësore për të mirën e familjeve e komuniteteve tona por dhe më gjerë, në mënyrë që të gjithë të mund të ecim përpara drejt paqes dhe barazisë gjinore”, tha Maja Davidovic, një pjesëmarrëse tjetër e Akademisë.