Misioni i OSBE-së dhe komunat punojnë për të përmirësuar programet e banimit social
Sot në Prishtinë është mbajtur trajnimi i fundit nga gjithsej pesë sa ka organizuar Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor për rreth 150 zyrtarë komunal përgjegjës për banim social dhe hartim të planeve përkatëse tre-vjeçare.
Trajnimet që janë mbajtur në rajone të ndryshme nëpër Kosovë ofruan mundësinë që përfaqësues të komisioneve komunale për banim social, zyrtarë komunal për komunitete dhe kthim (ZKKK) dhe përfaqësues të komuniteteve të shqyrtojnë mënyrat se si të përmirësohen programet për banim social si dhe të adresojnë vonesat në hartimin e planeve tre-vjeçare dhe caktimin e komisioneve komunale për banim social.
Ata po ashtu diskutuan obligimet e tyre ligjore, praktikat më të mira dhe bashkëpunimin ndër-sektorial nëpër komuna për të ndihmuar më mirë njerëzit në nevojë. Sipas të dhënave komunale, numri i aplikacioneve për banim social sillet nga 250 deri në 550 për komunë.
“Deri më tani, 17 nga 22 komuna që kanë të themeluara komisionet komunale për banim social kanë hartuar dhe aprovuar planet tre-vjeçare për banim social. Kjo shifër duhet të përmirësohet,” tha Barbara Rohmann, Drejtoreshë e Departamentit për të Drejta të Njeriut dhe Komunitete në Misionin e OSBE-së në Kosovë.
Trajnimet përfunduan me një numër rekomandimesh. Pjesëmarrësit u dakorduan që komunat duhet të hartojnë programet e tyre për banim social bazuar në vlerësimin e nevojave dhe të përshijnë ZKKK-të dhe komunitetet përgjatë gjithë procesit. Ata po ashtu u pajtuan që t’u përmbahen plotësisht dispozitave ligjore gjatë përzgjedhjes së përfituesve dhe marrjes me procedurat e apelimit.
Pjesëmarrësit u dakorduan që të marrin parasysh edhe perspektivën gjinore gjatë përzgjedhjes së përfituesve dhe hartimit të planeve për banim social, dhe për t’ia dorëzuar kërkesat financiare Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor në kohë.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Përmes programeve dhe aktiviteteve të hartuara në bazë të nevojave, Misioni mbështet institucionet në trajtimin e mangësive të mundshme dhe përmirësimin e mëtejmë të punën së tyre.