Njoftim i Misionit të OSBE-së në Kosovë rreth operacionit për grumbullimin e votave
PRISHTINË, 31 mars 2017 – Të dielen, 2 prill 2017, Misioni i OSBE-së në Kosovë do të ndërmarrë një operacion të grumbullimit të votave, duke hapur katër qendra grumbullimi dhe degë përkatëse nëpër Kosovë me prani të stafit të OSBE-së, në kontekst të zgjedhjeve presidenciale të Serbisë.
OSBE ka bërë aranzhime për shpërndarje të duhur gjeografike të këtyre qendrave dhe degëve, gjë që siguron mbulim të mjaftueshëm të zonave ku gjenden personat me të drejtë vote.
Ky angazhim i OSBE-së bazohet në modelet e mëparshme të vitit 2012, 2014 dhe 2016. Për të ndërmarrë këtë operacion, OSBE ka marrë një kërkesë nga Beogradi dhe miratimin e Qeverisë së Kosovës. OSBE do të jetë bartëse e operacionit në Kosovë, duke përfshirë edhe ruajtjen e materialit të ndjeshëm dhe integritetit të procesit. Procedurat do të jenë të njëjta me ato të viteve të kaluara.
Prania e Misionit të OSBE-së në teren ka vënë në dispozicion informata rreth vendeve që do të shfrytëzohen për këtë operacion.
Me t’u përmbyllur operacioni, OSBE do t’i bartë votat e grumbulluara në Rashkë dhe Vranjë dhe do t’ia dorëzojë ato Komisionit Zgjedhor Republikan (RIK) për procedura të mëtutjeshme.
Mediave të interesuara të xhirojnë/fotografojnë brenda hapësirave të qendrave të grumbullimit do t’iu lejohet qasja për një kohë të caktuar, 10-15 min maksimumi, pasi t’i kenë treguar personelit të pranishëm të OSBE-së një dokument identifikues valid të mediumit ku punojnë. Mediat nuk mund të zhvillojnë intervista brenda njësive grumbulluese, dhe inkurajohen që ato t’i zhvillojnë jashtë qendrave. Brenda qendrave individuale nuk do të lejohen më shumë se dy kameramanë apo fotografë në të njëjtën kohë.
Për të rejat e fundit na ndiqni në Twitter dhe Facebook: @OSCEKosovo