Misioni i OSBE-së mbështet institucionet e pavarura në prezantimin e punës së tyre publikut
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka përmbyllur më 13 nëntor 2012 një sëri debatesh me studentë të Universitetit të Prishtinës dhe përfaqësues të institucioneve të pavarura mbi rolin e këtyre institucioneve në kontrollin e ekzekutivit .
Diskutimet, në të cilat morën pjesë studentë të drejtësisë, administratës publike dhe shkencave politike, ishin organizuar për të ndihmuar institucionet e pavarura në informimin e të rinjve.
“Bordi i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, dhe Institucioni i Ombudspersonit janë institucione relativisht të reja”, tha Jared Hays ushtrues detyre i Departamentit të Demokratizimit në Misionin e OSBE-së në Kosovë.
“Mirëpo, roli i tyre në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në vendimmarrje po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Kështu që është qenësore që këto institucione arrijnë në publik dhe promovojnë punën e tyre. Në anën tjetër, është e rëndësishme për studentët që të mësojnë se si funksionojnë institucionet dhe si ata munden të angazhohen me to dhe të përfitojnë nga puna e tyre”.
Debatet janë një nga aktivitetet e vazhduara nga raporti i OSBE-së të korrikut të këtij viti që ka identifikuar mungesë të fushatave vetëdijesuese dhe informimit për punën e institucioneve të pavarura si sfidë kryesore për implementimin e mandateve të tyre.
Misioni i OSBE-së është i mandatuar me promovim dhe mbrojtje të drejtave të njeriut, demokratizim dhe zhvillim të sektorit të sigurisë publike. Misioni ka ndihmuar në themelimin e një numri të institucioneve rregulluese të pavarura, duke përfshirë Institutin Gjyqësor të Kosovës, Komisionin e Pavarur të Mediave, Institucionin e Ombudspersonit, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Bordin e Pavarur Mbnikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, dhe tash mbështet punën e tyre.