Mbesin sfida në promovimin e të drejtave të komunitetit në Kosovë, thotë raporti i ri i Misionit të OSBE-së
Prishtinë, 19 korrik 2012 – Përkundër një kornize ligjore të avancuar e përcaktuar për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e komuniteteve në Kosovë, është bërë vetëm një progres i kufizuar në implementimin e saj që nga viti 2010, thotë një raport i Misionit të OSBE-së në Kosovë i publikuar sot.
Botimi i tretë i Raportit për vlerësimin e të drejtave të komunitetit fokusohet në përpjekjet e institucioneve për të integruar komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian që jetojnë në Kosovë; mbështetjen e të kthyerve dhe re- integrimin; rritjen e përdorimit e të gjuhëve zyrtare dhe dialogut ndërkomunitar, ofrimin e arsimimit, dhe të drejtat socio-ekonomike.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Werner Almhofer, ka përmendur disa zhvillime pozitive nga vlerësimi i fundit: “Autoritetet e Kosovës kanë ndarë 3.4 milionë euro për të ndihmuar personat e riatdhesuar, dhe policia e Kosovës ofron mbrojtje 24 orë në 23 vende të trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe”.
“Përkundër disa përmirësimeve në qasje në arsimim për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, qasja e kufizuar ndaj banimit, shëndetësisë dhe punësimit vazhdon të mbetet pengesë e madhe për kthim të qëndrueshëm dhe re- integrim. Ende ka disa familje rome dhe ashkali të Kosovës që jetojnë në kampe të kontaminuara me plumb në Osterode”.
Sfida tjera të rëndësishme që raporti i identifikon janë mungesa e fondeve, vullnetit politik dhe koordinimi ndërmjet institucioneve të nivelit qendror dhe lokal.
Raporti më tutje thotë që komunitetet e ndryshme në Kosovë rrallë mësojnë për gjuhën e njëri tjetrit dhe numri i anëtarëve të komuniteteve të punësuar në administratën publike nuk e përmbush kuotën e nivelit qendror dhe lokal.
Raporti i përfshin rekomandimet se si të përmirësohet mbrojtja e të drejtave të komuniteteve. “Ne do të vazhdojmë mbështetjen e institucioneve të Kosovës në përpjekjet e tyre për të qenë në pajtueshmëri me standardet për të drejta të njeriut dhe komuniteteve, duke u bazuar në arritje pozitive dhe duke shfrytëzuar ekspertizat në dispozicion”, tha Almhofer.
Misioni i OSBE-së në Kosovë është i mandatuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe komuniteteve, demokratizim dhe zhvillim të sektorit për siguri publike. Misioni monitoron punën e institucioneve të Kosovës, raporton për pajtueshmëri me të drejtat e njeriut, dhe ofron këshilla dhe asistencë sipas nevojës.
Teksti i plotë i raportit gjendet në: //www.osce.org/sq/kosovo/92245